Shqipëria

“30 vite më parë shqiptarët zgjodhën PD-në, tani janë përpara betejës për të ardhmen”


Ish-lideri i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka përkujtuar 22 marsin e 1992-shit, datë në të cilën u mbajtën zgjedhjet e para pluraliste në Shqipëri.

“30 vjet më parë shqiptarët zgjodhën Partinë Demokratike, zgjodhën të ardhmen dhe fituan lirinë dhe demokracinë, duke përmbysur një herë e përgjithmonë diktaturën komuniste”, shkruan Basha në median e tij sociale Facebook.

Por njëjtë si dje, kur ai u dorëhoq, Basha shprehet se, në dekadën e tretë të asaj fitoreje historike, demokratët ndodhen përpara betejës për një Parti Demokratike të së ardhmes, të bashkuar mbi vlerat me të cilat ka lindur, si shpresa e vetme e shqiptarëve për një të ardhme më të mirë.

“Ata sot meritojnë dhe do të kenë një Parti Demokratike të fortë, parimore, në krah të njerëzve dhe të aleatëve strategjikë, e gatshme për t’u përballur dhe për të fituar mbi të keqen që i ka zënë frymën vendit”.

Çfarë simbolizon 22 marsi i 1992-shit?

Në mars të 1991-shit u mbajtën zgjedhjet e para pluraliste. Partia Demokratike e Shqipërisë (PDSH) nuk arriti të fitonte shumicën në parlament. Këto zgjedhje parlamentare u dekretuan nga Presidiumi i Kuvendit Popullor.

Pas zgjedhjeve, u krijua qeveria afatshkurtër Nano. Vrasja e katër demonstruesve në Shkodër dhe plagosja e dhjetëra të tjerëve, pasoi në greva të përgjithshme të Sindikatave të Pavarura (BSPSH), që filluan më 15 maj 1991 dhe shkuan deri në grevë urie.

Mbledhja e 3 qershorit të 1991-it do të shënjonte ardhjen në pushtet të një qeverie koalicioni. Pas ditësh bisedime, partitë politike vendosën që qeveria të jepte dorëheqjen, duke i kërkuar Presidentit të Republikës emërimin e një kryeministri të ri nga Partia e Punës.

Ndërsa zgjedhjet e reja do të kryheshin në periudhën maj–qershor 1992, anëtarët e qeverisë duhej të shkëputeshin nga partitë e tyre dhe të mos formonin parti të reja politike.

Çfarë rezervuan zgjedhjet e parakohshme?

22 marsi i 1992-it do të mbahet mend gjatë në radhët e Partisë Demokratike (PD). Pas 48 vjetësh dominim të Partisë së Punës, PD-ja arriti të kryesonte në zgjedhjet e parakohshme.

Ajo fitoi shumicën absolute të vendeve në parlament. Në këto zgjedhje, Partia Demokratike nuk garoi e vetme, por duke krijuar një koalicion me Partinë Republikane dhe Partinë Social Demokrate.

Zgjedhjet u fituan bindshëm nga Partia Demokratike me 62.08% të votave (92 vende). Partia Socialiste arriti vetëm 25.70% (38 vende), Partia Social Demokrate 4.30% (7 vende).

Ky moment ishte historik për Shqipërinë. Partia e Punës nuk do të ishte më në krye të qeverisjes së vendit. Partia Demokratike, si forcë e parë, ndryshoi kursin e politikës.

Gara u ndje edhe te mediat e asaj kohe. Fushata mediatike u zhvillua midis gazetës së PS-së “Zëri i Popullit” dhe gazetave të opozitës “Rilindja Demokratike”, “Republika” dhe “Alternativa SD”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore