Shqipëria

“30 mijë qytetarë kanë kryer analizat e plota falas”


Më shumë se 30 mijë qytetarë i kanë kryer analizat e plota falas, përgjatë muajit shtator, pranë qendrave shëndetësore.

Këtë e ka bërë të ditur, ministrja e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, përmes një postimi në median sociale Facebook, të dielën e 26 shtatorit.

Sipas ministres, Kontrolli Mjekësor Bazë është pa pagesë, për çdo qytetar 35- 70, në çdo qendër shëndetësore në Shqipëri.

Më 1 shtator, ministrja ka njoftuar rifillimin e programit të kontrollit mjekësor bazë.

“Ai do të jetë falas për çdo qytetar nga mosha 35-70 vjeç, në funksion për parandalimin e sëmundjeve kronikave dhe vëzhgimin e pasojave post COVID”, shkruan ministrja.

Çfarë është Kontrollit Mjekësor Bazë dhe përse ju shërben?

Çdo individ, sado i shëndetshëm, në një etapë të caktuar të jetës së tij (që nga mosha mesatare), është i rrezikuar nga sëmundjet si ato të zemrës dhe enëve të gjakut, goditjet ne tru, diabeti, sëmundjet e veshkave, disa forma të demencës, depresioni, etj.

Sëmundjet kronike jo-të-transmetueshme, veçanërisht ato kardio-vaskulare dhe tumorale, janë shkaktarët më të mëdhenj të vdekshmërisë në Shqipëri.

Ato janë sëmundje që kanë në bazë të tyre një stil jo të shëndetshëm jetese, prandaj është thelbësore që të mund të parandalohen duke u kapur në kohë dhe duke ndikuar në edukimin shëndetësor të popullatës për një stil të shëndetshëm jetese.

Në një masë dërmuese, barra e sëmundshmërisë në Shqipëri përcaktohet nga tre faktorë madhorë të rrezikut: ushqyerja jo e shëndetshme, presioni i lartë i gjakut dhe konsumi i produkteve të duhanit.

Shfaqjen e këtyre sëmundjeve mund ta favorizojnë gjithashtu edhe disa faktorë të tjerë që lidhen me mënyrën e jetesës, stresin, trashëgueshmërinë familjare, etj

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore