Shqipëria

20% e të rriturve shqiptarë hiqen sikur janë minorenë, pasi shkojnë në Britani


Një në pesë meshkuj adultë shqiptarë, të cilët zgjedhin të shkojnë ilegalisht në Britaninë e Madhe, pretendojnë përballë autoriteteve angleze se ata janë minorenë.

Kështu ka deklaruar ministri britanik për Emigracionin, Robert Jenrick, i cili ka folur mbi prurjet e emigrantëve në qendrën e azilantëve në Dover të Britanisë, ku bie në sy se sa shumë “minorenë” ka, të cilët aplikojnë për leje qëndrimi.

Kjo, për faktin se personat nën moshën 18 vjeç, të cilët aplikojnë për leje, ka më shumë gjasë ta marrin realisht atë.

Ndër të tjera, ministri ka shtuar se prej 40 mijë emigrantëve, të cilët kanë kaluar ujërat britanike ilegalisht këtë vit, 10 mijë janë shqiptarë.

Pra, një të katërtat e prurjeve, janë nga Shqipëria.

Autoritetet britanike, nën pretendimin e Jenrick, e dinë shumë mirë se është e pamundur, që 20% e gjithë të ardhurve, të jenë minorenë. Ndaj, shifrat zyrtare sipas tij kanë nevojë të ripërpunohen sërish.

Nga ana tjetër qëndron edhe zyra e sekretares së Brendshme britanike, Suella Braverman, e cila po tenton të ngushtojë mundësinë e kalimit drejt ishullit.

Një paketë e re ligjore, mundet gjithashtu të prezantohet, pikërisht për të limituar numrin e pranimeve të emigrantëve.

Por, në realitet, në një editorial që Braverman ka shkruar për gazetën britanike “The Mail Plus”, plani i saj real, është që të forcojë partneritetin me Francën dhe të jenë këta të fundit, që të shtojnë kontrollet në brigjet e tyre dalëse.

Ndër të tjera, ajo ka shkruar se marrëveshje me Ruandën për transferimin e emigrantëve, është opsioni më i mundshëm për të dekurajuar të gjithë ata që duan të shkojnë ilegalisht në Britani, pasi askush nuk do të parapëlqente të gjente veten në një institucion sigurie në Afrikë dhe jo në Britani.

Për momentin, emigrantët mbahen në disa qendra të ngritura për azilkërkuesit, të cilat gjenden pranë porteve apo aeroporteve angleze.

Çështja e emigrantëve shqiptarë në Mbretërinë e Bashkuar mori hov të madh, pasi Braverman i quajti ata “pushtues”, duke nxitur reagime të shumta, përfshi atë të kryeministrit shqiptar, Edi Rama, i cili parashtroi argumentin se ndër 140 mijë emigrantë shqiptarë në ishull, pjesa dërrmuese janë të integruar në komunitetet ku bëjnë pjesë dhe japin kontribut për prosperitetin e monarkisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore