Shqipëria

2 milionë euro dëm ekonomik duke shmangur detyrimet tatimore, në pranga 12 shtetas të huaj dhe shqiptarë


Prokuroria në Tiranë, pas një pune disa mujore me veprime proceduriale dhe me metoda speciale të hetimit, ka finalizuar me sukses Operacionin e koduar “collaborazione“.

Në kuadër të këtij operacioni, janë bërë të mundur ekzekutimet e Vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, e cila ka caktuar masë sigurimi “arrest në burg” ndaj 12 shtetasve.

Ndër ta tre shtetas janë shqiptarë dhe nëntë shtetas Italianë me iniciale E.D., B.H., E.D., D.M., T.M., D.D., F.P., R.R., U.M., G.R., S.D., A.P.

Nga hetimet e kryera rezultoi se këta persona kanë mundur të organizojnë një strukturë të mirëfilltë kriminale me qëllim të vetëm përfitimin me anë të shmangies së detyrimeve tatimore, duke kryer aktivitet në fushën e shërbimeve të konsulencave.

Faturimi i dyshuar fiktiv i këtyre konsulencave është kryer nga subjekte ‘Persona Fizik’ në subjekte SH.P.K, ku më pas këto të fundit këto shërbime i kanë eksportuar (shitur) në shtetin Italian.

Duke rritur në mënyrë fiktive shpenzimet, është bërë e mundur barazimi i tyre me të ardhurat dhe në këtë mënyrë vlera e detyrimit të tatim fitimit për t’u paguar del më e ulët, duke shmangur kështu detyrimin real që lind nga tatim fitimi.

Në këtë mënyrë janë konsumuar elementë të veprave penale të parashikuara nga nenet 180, 190 dhe 143 të Kodit Penal në Republikën e Shqipërisë.

Nga ky aktivitet kriminal, shtetasit e sipërpërmendur, nëpërmjet subjekteve fiktive, kanë mundur të përfitojnë nga rritja fiktive e shpenzimeve, deri në këtë fazë të hetimeve, një vlerë të llogaritur prej 471,778,384 lekë, duke i shkaktuar kështu një dëm monetar dhe financiar shtetit Shqiptar në vlerën rreth 2 milion Euro.

Dyshohet se në këtë veprimtari kriminale janë të përfshirë persona dhe subjekte të tjera, si dhe funksionarë të administratës shtetërore, për të cilat vazhdojnë hetimet dhe veprimet proceduriale për të dokumentuar të gjithë veprimtarin kriminale.

Ky aktivitet kriminal dyshohet që shtrihet edhe në shtetin Italian, aty ku edhe operojnë përfituesit kryesorë, të cilët janë subjekte që përfitojnë të gjithë vlerën e shërbimeve të dyshuara fiktive të konsulencës, e cila përllogaritet mbi 6 milion Euro.

Sakaq, po punohet që hetimet të shtrihen edhe në shtetin Italian.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore