Shqipëria

2.2% më pak të diplomuar në Shqipëri për vitin shkollor dhe akademik 2020-2021


Në arsimin zyrtar, për vitin shkollor 2020-2021, u diplomuan 96 mijë e 5 nxënës dhe studentë.

Kjo ka rezultuar në një ulje prej 2,2 %, krahasuar me vitin shkollor pararendës.

Referuar një raporti të fundit nga Instituti i Statistikave (INSTAT), ulje në numrin e të diplomuarve kanë patur të gjithë nivelet arsimore, 9-vjeçar, i mesëm dhe i lartë.

Struktura e diplomimeve në arsimin zyrtar, sipas niveleve arsimore, është thuajse e njëjtë, gjatë tre viteve të fundit shkollore dhe akademike.

Struktura e nxënësve dhe studentëve të diplomuar në arsim sipas niveleve arsimore, 2020-21 (%)
Arsimi Parauniversitar

Në arsimin 9-vjeçar, për vitin shkollor 2020-2021, u diplomuan 32 mijë e 179 nxënës, duke shënuar një ulje prej 4,3 %, krahasuar me vitin e kaluar shkollor.

Nga të diplomuarit, në këtë nivel arsimor, 52,9 % ishin djem dhe 47,1 % vajza.

Nxënës të diplomuar në arsimin 9-vjeçar sipas gjinisë

Sakaq, në arsimin e mesëm u diplomuan 31 mijë e 136 nxënës, duke shënuar një ulje prej 1,7 %, krahasuar me vitin e kaluar shkollor.

Në këtë nivel arsimor u diplomuan 47,3 % djem dhe 52,7 % vajza.

Kurse në arsimin profesional u diplomuan 3 mijë e 831 nxënës. Të diplomuarit e arsimit profesional përbëjnë 12,3 % të të diplomuarve gjithsej në arsimin e mesëm.

Raporti bruto i diplomimit në arsimin e mesëm për vitin shkollor 2020-2021 është 79,6 %.

Raporti bruto i diplomimitnë arsimin e mesëm

Arsimi i Lartë

Në arsimin e lartë, për vitin akademik 2020-2021, u diplomuan 32 mijë e 690 studentë, duke shënuar një ulje të lehtë prej 0,6 %, krahasuar me vitin pararendës.

Studentët e diplomuar në programet Bachelor përbëjnë 54,0 % të studentëve të diplomuar gjithsej, ndjekur nga programet Master me 40,8 %.

Në të gjithë programet e arsimit të lartë u diplomuan 21 mijë e 592 studente femra, ose 66,1 % e numrit të përgjithshëm të studentëve të diplomuar në arsimin e lartë.

Të diplomuar në arsimin e lartë sipas programeve të studimit dhe gjinisë, 2020-21

Fusha në të cilën janë diplomuar më shumë studentë në të gjitha programet është “Biznes, administrim dhe ligj” prej 30,0 % ose më shumë se një e katërta e numrit të përgjithshëm të të diplomuarve.

Ndërkohë, fusha e dytë më e preferuar nga meshkujt është “Inxhinieri, prodhim dhe ndërtim” me 18,9 % të të diplomuarve meshkuj.

Ndërsa nga femrat, fusha e dytë e preferuar është “Shëndet dhe mirëqenie” me 18,3 % të të diplomuarave.

Analizuar për secilën fushë veçmas, fushat në të cilat janë diplomuar më shumë femrat krahasimisht me meshkujt janë “Arsim” (82,3 %), ndjekur nga “Arte dhe shkenca humane” (79,9 %) dhe “Shkenca sociale, gazetari dhe informacion” (79,1 %).

Nga ana tjetër, fushat në të cilat janë diplomuar më shumë meshkujt krahasimisht me femrat janë “Inxhinieri, prodhim dhe ndërtim” (64,4 %), “Shërbime” (63,9 %) dhe “Teknologjia e informacionit dhe komunikimit” (61,6 %).

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore