Lajme

Shpërthimi në Mitrovicë, 14 të lënduar dërgohen në QKUK


QKUK

Si pasojë e shpërthimit të bombolës së gazit në fshatin Kçiq të Mitrovicës, 15 persona kanë kërkuar tretman mjekësor.

Bëhet me dije se të gjithë të lënduarit, fillimisht kanë shkuar për trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal të Mitrovicës, derisa 14 prej tyre janë dërguar për në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

“15 persona kanë pranuar trajtim. 14 prej tyre janë dërguar për trajtim në QKUK. Ndërsa njëri prej tyre është liruar për në shtëpi”, ka thënë zëdhënësja e spitalit të Mitrovicës, Nita Mustafa.

Edhe QKUK-ja ka njoftuar për pacientët që po trajtohen aty, ku kanë bërë me dije se të lënduarit kanë djegie të shkallës së dytë dhe të tretë, në gjymtyrë të ndryshme të trupit, përfshirë, fytyrë, duar, këmbë dhe pjesë të tjera të trupit.

Ekipi emergjent në përbërje të mjekëve specialistë të profileve të ndryshme dhe infermierëve po trajton që të trembëdhjetë pacientët, derisa njoftohet se katër nga ta janë duke u operuar në sallën e operacionit.

“Meqë trajtimi është duke vazhduar dhe gjendja shëndetësore mund të pësojë ndryshime, mjekët kërkojnë mirëkuptim nga mediat dhe publiku”, thuhet në njoftimin e QKUK-së.

Informatat e plota do të jepen pas ekzaminimeve finale nga mjekët kujdestar.

Për shpërthimin e bombolës së gazit në fshatin Kçiq të Komunës së Mitrovicës u raportua pasditen e kësaj të shtune.

Fillimisht, lajmin për Albanian Post e konfirmoi zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Avni Zaiti, i cili, duke iu referuar të dhënave fillestare, tha se ishin 13 persona të lënduar.

Po ashtu, ai bëri me dije se të lënduarit ishin dërguar në Spitalin Rajonal të Mitrovicës.

“Rreth orës 16:30, policia ka pranuar informatë se si pasoj e një shpërthimi në një shtëpi në fshatin Kçiq të Mitrovicës, 13 persona kanë pësuar lëndime, të lënduarit janë dërguar për tretman mjekësor në Spitalin Rajonal të Mitrovicës”.

Ai shtoi se bazuar në informatat e para dyshohet se shpërthimi ka ndodhur nga një bombole gazi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore