Lajme

12 vjet nga vrasja e policit Enver Zymberi dhe aksionit për pikat kufitare në Veri


Këtë të martë janë bërë 12 vite kur Njësia Speciale e Policisë së Kosovës kishte ndërmarrë aksionin për t’i futur nën kontroll pikat kufitare në Veri të Kosovës, Jarinjë dhe Bërnjak ku kishte mbetur i vrarë polici Enver Zymberi.

Për këtë vrasje, sipas ish-Shefi i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, Lars-Gunnar Wigemark, kanë qenë 10 persona të dyshuar.

Wigemark, në një intervistë të dhënë për Albanian Post, pati thënë se rasti në fjalë ‘’ka qenë shumë i ndërlikuar’’.

‘’E kemi një arkiv goxha të madh i cili është në dispozicion për të gjithë. Fillimisht kanë qenë dhjetë persona të dyshuar të cilët i kemi trajtuar, por përveç dy prej tyre, të gjithë janë liruar dhe shfajësuar. Procedura është bërë më ndihmën e një prokurori të EULEX-it dhe Prokurorisë së Mitrovicës’’, theksoi Wigemark.

Ai pati treguar për AP se janë bërë hetime komplekse, porse ende nuk janë zbuluar autorët e vrasjes së policit nga Vushtrria.

‘’Dy të dyshuar janë shpallur të pafajshëm, që do të thotë që nuk ka pasur prova të mjaftueshme për t’i mbajtur përgjegjës’’.

Polica e EULEX-it i kishte arrestuar si të dyshuar për vrasjen e Zymberit, Radomir Radiçin dhe Millovan Vllaskoviçin, të cilët më pas Gjykata Themelore e Mitrovicës i kishte shpallur të pafajshëm nga akuzuat që u viheshin në barrë.

Ndërkaq në vitin 2015 ishin arrestuar shefi i Operativës në Policinë e Kosovës në stacionin e veriut të Mitrovicës, Miodrag Llekiç, si dhe vëllai i tij, po ashtu pjesëtar i policisë në këtë stacion si të dyshuar për vrasjen e Zymberit.

Vëllezërit Llekiç ishin intervistuar në cilësinë e të dyshuarve nga zyrtarë të EULEX-it.

Por, vetëm një muaj më pas dy të lartcekurit ishin liruar si të pafajshëm nga Gjykata Themelore e Mitrovicës.

“Gjykata i shpalli dy të akuzuarit të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës sepse nuk është vërtetuar përtej dyshimit të bazuar se ata i kanë kryer, në bashkë-kryerje, këto vepra penale: Vrasje e rëndë, Tentim-vrasje e rëndë, Mbajtja në pronësi, Kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, Pengimi i personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, Rrezikimi i trafikut publik me anë të veprimeve apo mjeteve të rrezikshme, Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm, Pjesëmarrja në turmë e cila kryen vepër penale”, thuhej në njoftimin e gjykatës.

Ish-kryeprokurori Syla: S’kam qenë i kënaqur me punën e EULEX-it

Por, ish-kryeprokurori i Mitrovicës, Shyqeri Syla, është shprehur i pakënaqur me punën e EULEX-it për identifikimin e vrasësve të Zymberit.

‘’Nuk kam qenë i kënaqur me punën e EULEX-it asnjëherë, as në këtë rast as në rastet e tjera, ata vetëm kanë qenë të interesuar ta zgjasin mandatin e tyre, por nuk kanë punuar sa duhet. Kanë arrestuar dy persona, por janë liruar. Ka pas edhe disa dëshmitarë që janë dëgjuar, por unë nuk kam marr pjesë, vetëm jam informuar nga EULEX-i’’.

Ai ka potencuar se në atë kohë në lëndën e Enver Zymberi kanë punuar vetëm prokurorët e EULEX-it, ‘’kanë arrestuar disa persona, lënda ka mbet në EULEX dhe nuk e di çka ka ndodh më tutje me atë lëndë’’.

Enver Zymberi, oficer i Policisë së Kosovës, është vrarë në përballje me një grup serbësh të armatosur në Veri, gjatë operacionit të 25 korrikut të forcave kosovare për të rimarrë kontrollin në vendkalimet kufitare me Serbinë.

Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, i ka dhënë titullin “Hero i Kosovës”, Enver Zymberit, me motivacionin “për trimërinë dhe përkushtimin e treguar deri në flijim për vendosjen e sundimit të ligjit në tërë territorin e Republikës së Kosovës”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore