Shqipëria

11 të vrara në 1 vit


Shifrat flasin më shumë se gjithçka tjetër për përhapjen e fenomenit të dhunës ndaj grave dhe femicidit në Shqipëri.

Edhe ky vit ka qenë alarmant. 11 raste të femicidit vetëm për vitin 2023.

“Një kambanë e madhe alarmi për të gjithë”, ka ravijëzuar ministri i Brendshëm, Taulant Balla.

Gjatë vitit 2023, janë evidentuar 4 mijë e 700 raste të dhunës në marrëdhënie familjare dhe janë dhënë 2 mijë e 500 urdhra mbrojtjeje.

Edhe më dramatike është situata kur nga viti 2010, mësohet se janë vrarë 159 gra. Nga viti 2010 deri më tani, mesatarisht janë vrarë 10 deri në 12 gra.

Ato janë vrarë në mënyrë makabre nga bashkëshorti, ish-bashkëshorti, kunati, djali apo babai.

Sakaq, viti 2021 rezulton viti më tragjik me 20 gra të vrara.

Një nga rastet më të dhimbshme të këtij viti është ai i 1 marsit, me autor Dan Hutrën, i cili vrau tre gra dhe plagosi tre të tjera në tre zona të ndryshme të kryeqytetit.

Një identikit të tillë, eksperti i kriminologjisë, Ervin Karamuço, e ka përshkruar si një vrasës dhe dhunues serial feminicid, me çrregullime personaliteti borderline.

“Këta tipa marrin kënaqësi nga autoriteti, nënshtrimi dhe dhuna nda gjinisë femërore. Dallojnë nga të tjerët sepse bëjnë krime urrejtje në mënyrë gjakftohtë”, ka shpjeguar ai për Albanian Post, lidhur me rastin.

Flasin ekspertët për Albanian Post: Dan Hutra një vrasës serial feminicid, psikopat i integruar

Ekspertet e shëndetësisë botërore e konsiderojnë dhunën që partnerët ushtrojnë ndaj grave me “përmasa pandemike”.

Raporti i publikuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e rendit Shqipërinë të dytën pas Rumanisë sa i takon këtij fenomeni në Evropën Qendrore.

Pesë për qind e grave në vendin tonë dhunohen.

Në Kosovë

Në Kosovë – nga viti 2010 deri në nëntorin e vitit 2023 – raportohet se janë vrarë 55 gra.

Këtë vit, mbi 1 mijë e 700 gra atje janë evidentuar si viktima të dhunës në familje, sipas të dhënave të policisë.

Ndërkohë, organizatat për të drejtat e grave thonë se shifrat janë shumë më të larta, por rastet shpesh nuk raportohen ose raportohen vonë, për shkak të presionit social ose mungesës së pavarësisë ekonomike të grave.

Rasti më i fundit i përket datës 29 nëntor.

Liridona Ademaj u vra më 29 nëntor në fshatin Bërnicë në Prishtinë.

Vrasja e saj ka marrë vëmendje të madhe, pasi fillimisht u raportua nga Policia e Kosovës si “grabitje me pasoja të vrasjes”.

Por dy ditë më vonë, Policia ka njoftuar për arrestimin e dy personave, njëri prej tyre Naim Murselin, bashkëshorti i viktimës, i dyshuar për vrasjen e saj.

Apeli i lë në paraburgim Naim Murselin dhe dy të dyshuarit e tjerë për vrasjen e Liridona Ademajt

Pse po ndodhin këto vrasje?

Për Albanian Post, psikologe Jonida Haxhiu, ka zbërthyer këtë fenomen drobitës për shoqërinë tonë, duke i dhënë përgjigje “Pse-së?”.

“Në të gjithë botën ka raste të tilla për fat të keq. Sigurisht që në shumicën e rasteve në themel qëndrojnë probleme të shëndetit mendor të këtyre meshkujve, por nga ana tjetër, edhe një pamundësi e femrave viktima për të mbrojtur veten, për të shpëtuar nga dhuna, që zakonisht është e përsëritur, dhe për të qenë në gjendje të kuptojnë që askush nuk mund të të cenojë në atë që është integriteti dhe siguria fizike apo psikologjike”.

“Cilatdo qofshin arsyet që një mashkull pretendon, asnjë nuk mund të përligjë dhunën”.

Në krye të listës Haxhiu rendit problemet e shëndetit mendor.

“Në kontekstin tonë dhe jo vetëm, konsiderohet ende një problem i madh të pranuarit e pasjes së një problem të shëndetit mendor dhe këshillimi me një specialist. Vetë personi, por shpesh edhe të afërmit, miqtë apo familjarët e tij, e pengojnë si formë e dashurisë apo kujdesit për të kërkuar ndihmë te një specialist”.

Dhe kjo ndodh si përpjekje për ta mbrojtur këtë individ nga stigma apo diskriminimi që “në jo pak raste” shoqëron një individ të diagnostikuar me probleme të shëndetit mendor.

Çka anashkalohet – referuar psikologes – është se pasojat e mosdiagnostikimit dhe trajtimit në kohë të problemeve të shëndetit mendor, mbartin rrezikun e agravimit të mëtejshëm të këtyre gjendjeve duke sjellë mjaft pasoja për individin, por edhe për personat pranë tij, apo edhe më gjerë.

“Individë që kanë një spektër të problemeve të shëndetit mendor, mund të bëhen edhe agresivë, të dëmtojnë veten apo të tjerët, të mos përjetojnë dhimbje për vuajtjen që u shkaktojnë të tjerëve”.

“Ndaj është shumë e rëndësishme për të gjithë ne, për evidentimin te të afërmit të shenjave apo sinjaleve që ka gjëra që nuk shkojnë me të, që ka ndryshuar në mënyrën e sjelljes, të reagimeve, që ka probleme në funksionimin social e psikologjik dhe nëse elemente të tilla janë të pranishme, nxitjen e këtij personi për të takuar një specialist të shëndetit mendor”.

Haxhiu sjell në vëmendje edhe ndikimin e mentalitetit patriarkal që fatkeqësisht në shumë raste është prezent në mosha dhe kontekste të ndryshme.

“Në pamje të parë, priremi ta mendojmë të lidhur me zonat rurale, mungesën e shkollimit apo një status të ulët socio-ekonomik. Por faktet tregojnë një pamje shumë më të zymtë, dhunën me bazë gjinore e gjejmë edhe në qendrat e zhvilluara urbane, nga personat me një formim të avancuar akademik apo persona me status të lartë socio-ekonomik, pra nuk lidhet me faktorët demografikë, por ka rrënjë më të thella”.

Mentaliteti ynë – në optikën e psikologes -është shumë i ndjeshëm ndaj rasteve të tilla të dhunës, ndaj humbjeve të pafajshme të jetës.

Por nëse ne analizojmë të përditshmen është pikërisht ky mentalitet që “e ushqen dhunën me bazë gjinore, duke i rritur ndryshe djemtë e vajzat, duke toleruar ndryshe djemtë nga vajzat, duke i edukuar në mënyrë aspekt të përshtatshme djemtë dhe vajzat”.

Sipas Haxhiut, të gjitha këto bëjnë që këta individë të jenë individë të rritur që e mendojnë veten dhe sillen si “superiorë” sepse janë meshkuj dhe “inferiore” sepse janë femra, meshkuj që përpiqen të dominojnë femrat dhe femrat që e pranojnë këtë si normale.

“Të funksionuarit sipas këtij mentaliteti, në shumë raste kombinuar me probleme të shëndetit mendor mund të degradojnë në krime monstruoze si ato që jo pak herë kanë tronditur opinionin publik, ku viktimat kanë qenë femra të pafajshme”.

Dhuna lind nga fjalët…është bastarde

Parandalim, parandalim, parandalim

Parandalimi është tejet i rëndësishëm, sipas Haxhiut.

Sepse nuk mund të presim të ndodhin ngjarje të rënda – ku një grua apo vajzë humb jetën – që të iniciohen protesta apo nisma publike.

“Ky kujdes duhet të jetë nga të gjithë, çdo ditë”.

“Secili prej nesh në të përditshmen e tij duhet të jetë i ndërgjegjshëm që dhuna nuk është një mjet komunikimi e nëse ndodh, diçka nuk shkon”.

Për Haxhiun, me rëndësi është që djemtë të edukohen kundër dhunës dhe superioritetit fizik, por si forma të inferioritetit dhe problemeve të tyre psikologjike.

Po ashtu është e rëndësishme që vajzat të edukohen që të ndjehen të sigurta në çdo moment dhe me këdo, “e nëse diku apo dikush ua lëkund këtë mendim, duhet të jenë menjëherë të afta të distancohen, në momentin e duhur, ose sa më shpejt të munden”.

Ajo rithekson se vajzat duhet të edukohen që të besojnë te vetja dhe se askush, pavarësisht nga çfarëdo arsyes, nuk ka të drejtë t’i vendosë në një situatë pasigurie, fizike apo psikologjike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore