Kosova

Apeli i lë në paraburgim Naim Murselin dhe dy të dyshuarit e tjerë për vrasjen e Liridona Ademajt


Gjykata e Apelit.

Gjykata e Apelit e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e mbrojtësit të të dyshuarit Naim Murseli, avokati Ahmet Ahmeti, i cili dyshohet për orkestrimin e vrasjes së Liridona Ademaj.

Ndërsa, ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, të 3 dhjetorit 2023, me të cilin Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës, iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh, nën dyshimin për vrasjen e 30-vjeçares, Liridona Ademaj.

“Me aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda, PPRKR.nr.309/2023 të datës 12.12.2023, të pandehurve N.M, G.P dhe K.K, i ’u ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj”.

“Për shkak të dyshimit të bazuar se i pandehuri N.M, ka kryer veprën penale në bashkëkryerje vrasje e rëndë nga neni 173 paragrafi 1, nën paragrafi 1.3 dhe 1.4, lidhur me nenin 31 të KPRK, i pandehurit G.P, për shkak të veprës penale vrasje e rëndë nga neni 173 paragrafi 1, nën paragrafi 1.4 dhe 1.6 të KPRK dhe veprës penale secili veç e veç mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 paragrafi 1 i KPRK, si dhe i pandehuri K.K për shkak të veprës penale marrëveshja për të kryer veprën penale vrasja e rëndë nga neni 173 paragrafi 1 nën paragrafi 1.6 lidhur me nenin 35 të KPRK”, thuhet në njoftimin e Apelit.

Më 11 dhjetor, të dyshuarit të katërt i është caktuar masa e paraburgimit për rastin e vrasjes së Liridona Ademaj.

Çfarë ndodhi?

Liridona Ademaj, është vrarë më 29 nëntor në fshatin Bërnicë në Prishtinë.

Autoritetet e drejtësisë ende nuk e kanë bërë të ditur motivin e kësaj vrasjeje.

Vrasja e Liridonës ka marrë vëmendje të madhe, pasi fillimisht ajo ishte raportuar nga Policia e Kosovës si “grabitje me pasoja të vrasjes”.

Dy ditë më vonë, më 1 dhjetor, Policia ka njoftuar për arrestimin e dy personave: dorasin Granit Plava dhe Naim Murselin, bashkëshortin e viktimës, të dyshuar për vrasjen e saj.

Më pas u arrestua edhe Kushtrim Kokalla si pjesëmarrës në krim.

Në dosjen e dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë më 2 dhjetor, Prokuroria Themelore, ka dhënë detaje të veprimeve që pretendohet se i kanë kryer Nam Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla, të dyshuar për vrasjen e Liridona Ademajt, më 29 nëntor në Prishtinë, rasti ky i cili fillimisht u cilësua si “Grabitje me pasojë vdekjen”.

Ndryshe, në dosjen e prokurorisë theksohet se ka pasur një “marrëveshje për një aksident të inskenuar”, ku i pandehuri, në këtë rast Naim Murseli, me dashje ka dashur të privojë nga jeta bashkëshorten e tij, duke bërë një marrëveshje paraprake me dorasin Granit Plavën.

Foto nga vendi i ngjarjes ku u vra Liridona Ademaj.

Sipas Prokurorisë, Murseli, paraprakisht e ka pajisur me armë dorasin Plava duke inskenuar veprën e “Grabitjes”.

“Murseli derisa ishte duke lëvizur me veturë, në të cilën ishte bashkëshortja Liridona dhe dy fëmijët e tyre, papritmas ka dalë i pandehuri Plava para veturës, me maskë në kokë dhe revole në dorë, sipas marrëveshjes paraprake, i pandehuri Murseli me fëmijët ka dalë nga vetura dhe është larguar nga vendi i ngjarjes kinse për të ikur, derisa tani e ndjera Liridona ka mbetur në veturë”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.

Në dosjen e Prokurorisë ndër të tjera theksohet se i pandehuri Granit Plava e ka qëlluar viktimën nga afërsia me një plumb në qafë.

“Ndërsa për këto veprime i pandehuri Naim Murseli, paraprakisht i ka premtuar të pandehurit Granit Plava, një shumë të të hollave prej 30 mijë euro”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.

Dosja e Prokurorisë, gjithashtu, jep detaje edhe për përfshirjen e Kushtrim Kokallas në rastin e vrasjes, ku sipas Prokurorisë ky i fundit ka njoftuar Murselin me dorasin, në këtë rast Granit Plavën.

“Një javë para natës kritike, të pandehurit Murseli dhe Kokalla (me të cilin kanë raporte familjare- djalë i dajës dhe djalë i hallës) dhe i pandehuri Plava (shok i të pandehurit Kokalla), janë takuar në pompën e derivateve ‘Shell’, ku i pandehuri Plava i ka treguar se merret me gjithçka”.

Pas takimit të tyre në “Shell”, sipas Prokurorisë, thuhet se Murseli i kërkon Kokallës numrin e telefonit të të pandehurit Plava, kurse në ditën kritike Murseli takohet sërish me Kokallën në ora 9:30 në qytetin e Gjakovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore