Shqipëria

Flasin ekspertët për Albanian Post: Dan Hutra një vrasës serial feminicid, psikopat i integruar


Tre vrasje të njëpasnjëshme dhe tre plagosje janë kryer mesditën e 1 marsit, në një periudhë kohore prej jo më shumë se 30 minutash, nga Dan Hutra, një person me precedentë të mëparshëm kriminalë, i cili tronditi mbarë opinionin publik.

Jo vetëm për mënyrën dhe realizimin e vrasjeve në mes të ditës në zonën e Paskuqanit dhe Kamzës në kryeqytet, por edhe për faktin se përballja e tij e vetme agresore, ishte ajo ndaj grave dhe vajzave.

Në fakt, në bazë të historikut kriminal të Hutrës, ai rezulton me dënime që në vitin 2007, kur vrau ish-bashkëshorten e tij e më pas, në mënyrë krejt të mistershme, u lirua nga qelia për të qenë sërish i lirë.

Në një periudhë të zgjatur kohore, Hutra kreu përdhunime e dhunime ndaj grave dhe vajzave që pati në jetën e tij, qofshin këto ish-partnere, apo të afërme të tyret.

Më flagranti gjithsesi është rasti i 1 marsit, me përmbyllje një vrasje të trefishtë, e cila edhe më e rëndë mund të kishte qenë në rrethana të tjera.

Nën urrejtje për ish-bashkëjetuesen e tij, me të cilën kishte një fëmijë, si edhe për gjithë familjen e saj, Hutra ndërmori aktin kriminal të vriste ish-kunatën e tij, të fejuarën e vëllait të ish-bashkëshortes, të plagoste këtë të fundit, si edhe ish-vjehrrën.

Një tjetër viktimë, e ekzekutoi më pas, duke e identifikuar si motrën e një personi me të cilin kishte pasur konflikte në kohën kur ka qenë në burg, sepse i liruar prej tij, vrasësi i shumëfishtë kishte qenë vetëm prej 16 shkurtit.

Një hark kohor 14-ditor, i mjaftoi për të realizuar gjithë imagjinatën dhe planin e detajuar, të hartuar prapa hekurave.

Një identikit i tillë, sipas ekspertit të kriminologjisë, Ervin Karamuço, mund ta përshkruajmë si një vrasës dhe dhunues serial feminicid, me çrregullime personaliteti borderline.

“Këta tipa marrin kënaqësi nga autoriteti, nënshtrimi dhe dhuna nda gjinisë femërore. Dallojnë nga të tjerët sepse bëjnë krime urrejtje në mënyrë gjakftohtë”, ka shpjeguar ai për Albanian Post, lidhur me rastin.

Nga ana tjetër, një zbërthim më të detajuar patologjik, e ka dhënë shefja e departamentit të Pedagogjisë dhe Psikologjisë pranë Fakultetit të Shkencave Sociale në Universitetin e Tiranës, Arjana Muça, e cila për të identifikuar sjelljen e Hutrës nëpërmjet sindromës së personalitetit kriminal, i referohet si strukturës psikologjike, por edhe asaj patologjike.

Të dyja këto, thekson Muça, e çojnë individin në kryerjen e veprave kriminale.

Disa elementë, duhen zbërthyer fillimisht gjithsesi.

Ato lidhen me qëndrueshmërinë, si tipar i personalitetit ku ai sillet me viktimën, ashtu si me njerëzit e tjerë.

Po ashtu, fakti se vendi i krimit dhe çasti kur ai godet, janë vendime krejtësisht të vetëdijshme.

Arjana Muça, psikologe

“Në rastin konkret kemi një kriminel të organizuar i cili e planifikon krimin me detaje”, shpjegoi ajo për Albanian Post. “Nga ana patoligjike, do të thoja se gjendet më shumë në grupin psikopat i integruar, ku përpiqet të kënaqë nevojat e tija në një mënyrë jo normale”.

Ky për të, është tregues i një personi egoist, i cili nuk dëgjon gjykimet e të tjerëve.

Tronditja e shkaktuar në shoqëri nga kjo ngjarje, ka rizgjuar revoltën ndaj feminicidit në vend dhe një protestë është paralajmëruar përpara Ministrisë së Drejtësisë, lidhur me rastin.

Gjithsesi, një pyetje duhet përcaktuar qartë në gjithë rrjedhën e ngjarjeve: Çfarë mund të bëhej, për ta parandaluar këtë krim monstruoz, në kushtet kur Drejtësia, nuk e bëri dot?!

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore