Lajme

Dhuna lind nga fjalët…është bastarde


“Çfarë duhet bërë kur bashkëshorti është i dhunshëm dhe nervoz?”.

Në Itali, gjatë vitit të kaluar, pyetje të tilla janë kërkuar në Google dhjetëra mijëra herë.

Paçka përpjekjeve të bëra për të luftuar dhunën me bazë gjinore përmes nismave të ndryshme, ka ende shumë gra dhe vajza që nuk dinë si të orientohen, si të veprojnë.

Ndonjëherë, ato nuk dinë as çfarë të mendojnë saktësisht kur ndihen në rrezik. Ndoshta edhe sepse ndërgjegjësimi për dhunën e pësuar vjen shumë vonë.

Kur një grua apo vajzë vendos të reagojë, ajo është e burgosur në skëterrë, duke besuar madje se është përgjegjëse për atë që po kalon.

Dhuna është bastarde!

Depërton në ekzistencën e grave duke i shkatërruar ato nga brenda, duke fshirë identitetin e tyre dhe duke copëtuar atë pak besim që kanë në vetvete.

Në kohën kur perceptohet, ka vepruar.

Dhuna nuk është vetëm fizike. Edhe pse herët a vonë mund të shndërrohet në të tillë.

Dhuna shfaqet me gjithë tmerrin e saj, duke lënë gjurmë që askush nuk mund të pretendojë se nuk i sheh më: mavijosje, kocka të thyera, gjak, kufoma.

Por ajo ka qenë e pranishme edhe kur mavijosja mungonte.

Ka qenë e pranishme që kur niste nënvlerësimi, vështrimet mbytëse dhe kërcënimet.

Dhuna është bastarde!

Përparon e maskuar dhe thuajse gjithmonë fshihet pas fjalive plot qëllime të mira dhe qëllime të lavdërueshme.

“Nëse ai është xheloz, më do”.

“Nëse ai bërtet, më do”.

Edhe sa herë do dëgjohen këto fraza që përsëriten kaq shpesh?

Dashuri me xhelozi dhe britma s’ka.

Ngjashëm s’ka asnjë pikë lidhje as me sharjet dhe poshtërimet, as me justifikimet e kota dhe absurde si “po e bëj për të mirën tënde”.

Çfarë dobie mund të ketë kur dikush pretendon se e di më mirë se ty, dhe në vendin tënd, zgjedh se çfarë duhet të bësh?

Në emër të çfarë dobie guxon një baba, vëlla, i dashuri apo bashkëshorti të marrë vendime për ty dhe të të imponojë vullnetin e vet?

Ata thonë se e bëjnë për ty. Ata thonë se një ditë do të jesh mirënjohëse. Ata thonë shyqyr që ke gjetur dikë që të duron. Ata thonë të ndalesh së ankuari, të mendosh për të gjitha që do të donin të ishin në vendin rënd.

Por fjalët nuk janë vetëm “jastëkë” ku mund të vendosni kokën për të lehtësuar dhimbjen, siç ka thënë James Hillman.

Shpesh herë, fjalët ndajnë dhe përjashtojnë, sigurisht edhe gënjejnë.

Dhe burrat e dhunshëm, të cilët janë thuajse gjithmonë pervers, narcistë dhe manipulues, e dinë shumë mirë se ka fjali që vrasin edhe para se të kenë ngritur dorën kundër gruas së tyre.

Ka nga ata që, me rastin e përvjetorit të lindjes së lëvizjes #MeToo, u përpoqën të vënë në pikëpyetje nocionin e “vazhdimësisë”.

Idenë sipas së cilës femicidi do të përfaqësonte polin ekstrem të një spektri që përfshin një shumëllojshmëri të gjerë të abuzimit fizik, seksual, psikologjik dhe verbal.

Ka nga ata që kanë këmbëngulur në padobishmërinë e konceptit të “kulturës së përdhunimit”, duke argumentuar se, nëse gjithçka është dhunë, atëherë rrezikojmë të mos e njohim më “dhunën e vërtetë”.

Ngjashëm siç do të ekzistonte rreziku i banalizimit të përdhunimit, duke e quajtur atë çdo akt seksual për të cilin njeriu nuk ka pranuar në mënyrë eksplicite.

Për më tepër, ka nga ata që kanë folur për “histerinë feministe”, duke drejtuar gishtin nga kjo mani e acarimit të marrëdhënieve mes gjinive, duke e bërë atë de facto të pamundur.

Çmenduri!.

Duke qenë se vazhdimësia e paepur e dhunës ndaj grave i ka rrënjët në dëshirën kokëfortë për të mos parë se dhuna ekstreme është vazhdimi i dhunës së përditshme dhe se është gjithmonë që nga momenti kur i lejon vetes t’i thuash një vajze “mbylle gojën” ose “ti nuk kupton asgjë”, e pengon atë të ketë akses në vetëdijen për vlerën e saj.

Po ashtu e pengon atë të ketë vetëbesim.

Për të mos përmendur dhunën seksuale, përfaqësimi stereotip i së cilës pengon shumë gra të pranojnë se janë dhunuar.

Çmenduri!

Për fat të keq, janë gjithmonë gratë ato që paguajnë për mosmarrëveshjet ideologjike dhe dallimet intelektuale në lëkurën e tyre.

Dhe për sa kohë që ka nga ata që pretendojnë të drejtën për të vendosur se kush është ose jo viktimë, viktimat e dhunës nuk do të mbrohen, autorët do të vazhdojnë të kryejnë krime dhe gramatika e marrëdhënieve emocionale nuk do të rishkruhet.

Paçka se është pikërisht kjo gramatikë e gabuar që legjitimon marrëdhëniet toksike dhe shfajëson familjet jofunksionale.

Marrë nga “La Stampa”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore