Lajme

1 vit nga vërshimet në Skenderaj – disa biznese po falimentojnë nga mungesa e ndihmës së shtetit


Vërshimet në Skenderaj

Janë mbushur plotë 1 vit prej që kur Komuna e Skenderajt është përballur me vërshime të mëdha si pasojë e reshjeve të dendura të cilët kanë shkaktuar dëme të mëdha materiale.

Dëmet materiale dhe mos-reagimi i menjëhershëm i Qeverisë së Kosovë ka ndikuar në falimentimin e shumë bizneseve në këtë pjesë të vendit.

I prekur nga ky fatkeqësi natyrore ishte edhe fermeri Liridon Geci.

Geci kishte vlerësuar asokohe se hiç më pak se 12 mijë pula në fermën e tij kishin ngordhur ndërsa i gjithë investimi i tij mijëra euro ishte asgjësuar nga vërshimet që kishin goditur fermën e tij në Llaushë të Skenderajt.

Në 1 vjetorin e vërshimeve në Skenderaj, fermeri Geci, përmes një postimi në platformën sociale në Facebook, ka potencuar se tashmë ai është detyruar ta mbyllë biznesin meqë dëmet e shkaktuara kanë qenë të papërballueshme dhe se subvencionimi – i vonuar – i Qeverisë së Kosovës nuk i kanë mjaftuar që ai ta rifunksionalizojë fermën e pulave.

“Dëmet e shkaktuara në fermën tonë janë shumë të mëdha të cilat kanë rezultuar me shumë se 12 mijë  pula të ngordhura dhe me dëmtimin e pjesës së inventarit në tërësi dhe pajisjeve të punës që përfshijnë vlerën mbi 400 mijë euro”, ka shkruar ai.

Dëmet e shkaktuara në fermën e Liridon Gecit

“Së fundmi qeveria ka lëshuar vendim për subvencionim 20 mijë euro maksimum, po 380 mijë euro ku mbetën? Tani kemi mbetur nën mëshirën e fatit, sepse nuk kemi kompensim solid nga asnjë palë. Biznesi ynë ka falimentuar dhe po rrezikohet ekzistenca edhe e pesë familjeve tjera të cilat kanë qenë të varura nga puna në fermën tonë”, ka shtuar ai.

Geci, ka shprehur zhgënjimin e thellë me institucionet lokale dhe qendrore të cilët, sipas tij, përveç fjalëve bosh dhe shkrepjes së disa fotografive nuk kanë ndërmarrë asgjë konkrete.

“Kërkojmë që të rialokohen fondet në mënyrë racionale të dalim nga kriza ne që jemi në të dhe të motivohen bujqit e tjerë të investojnë në Kosovë”.

Dëmet e shkaktuara në fermën e Liridon Gecit

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore