Lajme

1 milion studentë më pak në SHBA – Pandemia i lë pa arsim të rinjtë


Kampuset e kolegjeve universitare në SHBA kanë pak e më pak studentë të pranishëm në to dhe shkaku nuk është vetëm fakti se një pjesë e tyre i zhvillojnë leksionet online.

Rreth 1 milion studentë më pak janë regjistruar që prej fillimit të pandemisë, sipas një raporti të publikuar të enjten në SHBA.

Vetëm gjatë intervalit vjeshtë 2020-2021, ka pasur 465 mijë studentë më pak të regjistruar në universitetet amerikane. Prej fillimit të pandemisë, janë 1 milion e 25 mijë e 600 më pak.

Kështu sugjestionon kërkimi i ndërmarrë nga National Student Claringhouse Research Center.

Rënia ka të bërë me rreth 6.5 pikë, nëse i referohemi përqindjes. Është një rënie, e cila hyn në histori si më e madhja gjatë një intervali 2-vjeçar në 50 vitet e fundit.

Albanian Post ka pyetur edhe studentë shqiptarë në SHBA dhe ata e kanë konfirmuar trendin rënës.

“Gjithçka kushton më shumë. Punë nuk ka aq sa ka pasur. Njerëzit nuk arrijnë të paguajnë faturat. Ndërsa, ata të cilët kanë mundësi ekonomike, i shfrytëzojnë paratë për pushime, duke i shtyrë studimet”.

Kështu përgjigjet njëra prej tyre, mbi situatën aktuale studentore në SHBA.

Por, trendi rënës në Amerikë nuk është vërejtur vetë gjatë pandemisë. Rënie ka pasur edhe përpara saj. Vitet e fundit kanë qenë në shifra 1-1.5% rënie.

Impakti i rënies së studentëve mund të prekë edhe drejtpërdrejt institucionet. Me më pak të ardhura, kjo mund të ndikojë në cilësinë akademike dhe, po ashtu, në mbylljen e programeve të studimit.

Mbi të gjitha, kur bëhet fjalë për edukimin e lartë, si masteri apo doktoratura.

Një element tjetër me rëndësi, i cili duhet parë, është edhe borxhi i studentëve.

Shqetësimet janë të mëdha mbi këtë të fundit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore