Lajme

​KQZ-ja miraton dizajnin e fletëvotimeve për zgjedhjet e 17 tetorit


Mbledhja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve

Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) ka miratuar të enjten dizajnin e dy fletëvotimeve për zgjedhjet lokale të 17 tetorit.

Ky dizajn u vlerësua i mirë dhe i lehtë i qasshëm për qytetarët.

Përveç kësaj, në vend të fjalës “shënjoni”, u ndryshua në “votoni” me kërkesë të anëtarëve të KQZ-së

Po ashtu, Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) do të kërkojë nga Ministria e Shëndetësisë vaksinimin e të gjithë trupave zgjedhor për zgjedhjet lokale të 17 tetorit.

Në mbledhjen e të enjtes, kryeshefi i Sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj tha se shumë shpejt do ta përgatisin planin për zgjedhjet në përputhje me masat antiCOVID.

Krahas kësaj, KQZ regjistroi edhe partinë politike “Forca e Diasporës”.

Ndërkohë, anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje kërkuan që raporti i auditimit të brendshëm për zgjedhjet e 14 shkurtit të dërgohet në Prokurori, pasi sipas tyre ka shkelje të rënda.

Ndërsa, anëtari i lëvizjes Vetëvendosje në Komision Qendror të Zgjedhjeve, Sami Kurteshi ka kërkuar përsëri që procesverbali i mbledhjes së kaluar të KQZ dhe kamerat të dërgohen në prokurori në mënyrë që të dihet saktë sipas tij çfarë ka ndodhur në ditën kur u raportua në media se ka sulmuar një zyrtar për mosmbajtje të maskës.

Më 25 gusht u raportua se Kurteshi ka shtyrë një zyrtar të KQZ-së që nuk mbante maskën.

“Kam lexuar me vëmendje procesverbali dhe ka të bëjë edhe me një rast që është nxjerr në media në formën qysh është nxjerr.. kërkoj nga përgjegjësi ta dorëzoj procesverbalin në prokurori për rastin”, ka thënë Kurteshi.

Tutje ai ka potencuar edhe dy kërkesa të tjera.

“Kërkesa e dytë është që gjithë personat që janë në sallë të vendosin maskën, po hyjnë në sallë dhe nuk po vendosin maskë”.

“E treta, i lus personat që e kanë inskenuar rastin në media duke gënjyer me shku në polici dhe me dhanë deklaratë për mënyrën qysh i kanë keq informuar mediat”.

Sipas tij, kjo ka qenë e ligjshme duke u bazuar në infektimet që kanë qenë atë ditë.

“Ditën kur ka ngja ajo kanë qenë 2 mijë e 541 infektime. E kam bërë një kërkesë të ligjshme mos me pas njerëz pa maska në institucion”.

Po ashtu, zgjedhjet lokale që do të mbahen me 17 tetor të këtij viti, kanë një periudhë prej 30 ditësh për fushatën zgjedhore të subjekteve politike.

Afati i fushatave zgjedhore do të fillojë me 16 shtator dhe do të zgjasë deri më 15 tetor, mirëpo shkaku i pandemisë COVID-19 ende nuk dihet se si do të zhvillohen këto fushata zgjedhore nga partitë politike.

Për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale që do të mbahen më 17 tetor kanë aplikuar 94 subjekte politike, prej tyre, 32 parti, një koalicion, 35 iniciativa qytetare dhe 26 kandidatë të pavarur.

Numri i përgjithshëm i kandidatëve që kanë aplikuar është 4 mijë e 920, prej tyre 165 për kryetarë komunash dhe 4 mijë e 757 për kuvende komunale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore