Lajme

Mirënjohës ndaj Clintonit, Albrightit e Clarkut – tash sa më shpejt në NATO


Glauk Konjufca

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, nëpërmjet një postimi në “Facebook” të dielen, në 25-vjetorin e sulmeve ajrore të NATO-s kundër caqeve ushtarake e policore të ish-Republikës Federale të Jugosllavisë (RFJ), tha se kosovarët do të jenë përjetësisht mirënjohës ndaj aleancës ushtarake të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).

Ai përmendi protagonistët kryesorë që morën vendimin e madh për ta bombarduar Serbinë – gjithçka filloi në Uashington, ku këshilltarët e politikës së jashtme të presidentit amerikan, Bill Clinton, nën udhëheqjen e sekretares së shtetit, Madeleine Albright, u mblodhën në “Dhomën e Situatave” mbi intervenimin e SHBA-së për ta ndalur spastrimin etnik.

“Me ndërhyrjen e NATO-s luftës sonë çlirimtare iu njoh zyrtarisht karakteri universal si luftë për mbrojtjen e vlerave të lirisë, jetës, demokracisë, dinjitetit, të drejtave të njeriut dhe të popujve”, deklaroi Konjufca, ndërsa veçoi rëndësinë e Clintonit, Albrightit dhe komandantit të përgjithshëm i forcave evropiane të NATO-s, Wesley Clark, në çlirimin e Kosovës.

“Këtë të shkuar ne e mbartim me dhimbje, por edhe me krenari të madhe, duke punuar në suaza të kësaj fryme, për një shtet që mbron vlerat e demokracisë, në emër të të cilave erdhi edhe ndërhyrja e NATO-s. Në këtë kuptim, edhe dje, edhe sot, ishim dhe jemi bashkë, Kosova dhe NATO me të njëjtat vlera të njerëzve dhe popujve të lirë”, theksoi ndër të tjera.

“Sot, Republika e Kosovës aspiron antarësim sa më të shpejtë në NATO. Këtë na e definon historia, ajo që besojmë e për çka angazhohemi. Prandaj jemi të bindur dhe besimplotë se shtetin tonë do ta shohim në NATO në një të ardhme jo të largët, aty ku përkasim”, shtoi Konjufca, duke thënë se marsi përbashkon NATO-n dhe Ushtrinë Clirimitare të Kosovës (UÇK).

Ndërhyrja ushtarake në Kosovë konsiderohet një ndër sukseset më të rëndësishme të NATO-s, përkundër se përbente rastin e parë në histori që aleanca ndërmerrte një veprim ushtarak në territorin evropian. Clark, gjenerali amerikan dhe komandanti i përgjithshëm i forcave evropiane të NATO-s, udhëhoqi sulmet ajrore që zgjatën 78 ditë apo 2 muaj, 2 javë e 3 ditë.

Më 24 mars 2024 bëhen një çerek shekulli nga fillimi i sulmeve ajrore të NATO-s kundër caqeve ushtarake dhe policore serbe në Kosovë, Serbi dhe Mal të Zi, ndërsa vendimi ishte përligjur nga mbështetja e gjerë trans-atlantike dhe kërcënimi i një katastrofe humanitare – rasti i parë që NATO-ja ndërhyn në një territor pa pasur mandat nga Kombet e Bashkuara (OKB).

25 vjet nga 24 marsi i bombardimeve të NATO-s

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore