Lajme

25 vjet nga 24 marsi i bombardimeve të NATO-s


Pamje nga bombardimet e NATO-s në kryeqytetin e Serbisë, Beograd.

“Qytetarët e mi amerikanë, sot forca jonë ushtarake iu bashkua aleatëve tanë të NATO-s në sulmet ajrore kundër forcave serbe, përgjegjëse për brutalitetin kundër Kosovës. Kemi vepruar për disa arsye; për të mbrojtur jetët e mijëra njerëzve të pafajshëm në Kosovë nga ofensivat ushtarake si dhe kemi vepruar për të parandaluar një luftë më të madhe…”, kishte deklaruar mes tjerash Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton, më 24 mars 1999.

Këtë të diel, saktësisht 25 vite më parë, filloi bombardimi i caqeve policore e ushtarake serbe nga forcat aleate të NATO-s, për të ndalur spastrimin etnik në Kosovë, fushatë e nisur nga Presidenti fashist i Serbisë, i njohur si Kasapi i Ballkanit, Sllobodan Millosheviç.

Pas refuzimit të palës serbe për të nënshkruar Marrëveshjen e Rambujes, e cila kishte si qëllim zgjidhjen paqësore të konfliktit në mes të Kosovës (atëherë krahinë e Serbisë në kuadër të Jugosllavisë) dhe Serbisë, ndodhi ajo që ishte paralajmëruar – bombardimi i Serbisë.

Delegacioni i palës shqiptare të Kosovës në Konferencën e Rambujes, që përbëhej nga: Hashim Thaçi – si udhëheqës i delegacionit dhe përfaqësues politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ibrahim Rugova – kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Veton Surroi – përfaqësues i shoqërisë civile dhe Rexhep Qosja, për dallim nga pala serbe, kishin pranuar ta nënshkruanin Marrëveshjen.

Delegacioni shqiptar në Konferencën e Rambujes

Madje, pala serbe nuk përfaqësohej nga ai që kishte pozitën më të lartë institucionale në Serbi, Sllobodan Millosheviç, por nga zëvendës-kryeministri serb Ratko Markoviç.

Si derivat i refuzimit të palës serbe për ta nënshkruar marrëveshjen, pra pasi që u shtjerrën të gjitha mundësitë për një zgjidhje paqësore, NATO filloi fushatën ushtarake.

Pamje nga bombardimet e NATO-s.

Arsyet e ndërhyrjes së NATO-s ishin shpërngulja dhe dëbimi me dhunë i popullsisë civile shqiptare dhe spastrimi etnik që po kryhej nga regjimi i Serbisë, pra e drejta humanitare.

Moment vendimtar ishte masakra e Reçakut (15 janar, 1999), ku 45 civilë të pafajshëm shqiptarë ishin vrarë nga forcat policore-ushtarake serbe.

Një ditë më pas, më 16 janar shefi i atëhershëm i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, William Walker, e kishte vizituar Reçakun dhe kishte parë me sytë e tij atë se çfarë kishte ndodhur.

Ai do ta cilësonte këtë masakër si “krim kundër njerëzimit”.

Kjo ngjarje kishte përshpejtuar përpjekjet e bashkësisë ndërkombëtare për t’i dhënë një zgjidhje çështjes së Kosovës.

E si reaksion do të sillte Konferencën e Rambujes (shkurt-mars 1999).

Konferenca e Rambujes ishte hera e parë që Kosova përfaqësohej nga një delegacioni i saj dhe që për herë të parë ishte palë në një Konferencë Ndërkombëtare.

Refuzimi i palës serb për ta nënshkruar Marrëveshjen e Rambujes, kishte bërë që mes dilemash dhe kundërshtimesh nga Kina dhe Rusia, ish-Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Javier Solana, më 23 mars 1999, në orën 22:17, të urdhëronte një sulm ajror mbi Republikën Federale të Jugosllavisë.

Arsyetimi: në Serbi nuk ka gatishmëri për zgjidhje politike të krizës së Kosovës.

Bombardimi i ish-Jugosllavisë (lexo: Serbisë) nga forcat aleate të NATO-s, në kontekstin e marrëdhënieve ndërkombëtare është një ngjarje historike.

Në analet e historisë, shënon një ngjarje të re: një shtet sovran po bombardohej nga një aleancë ushtarake, e gjithë kjo pa miratimin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Arsyeja e ndërhyrjes ishte përgjigjeje ndaj dhunës represive dhe krizë humanitare që po ndodhte në Kosovë, ku shqiptarët etnikë po përjetonin persekutimin dhe dhunën sistematike nga forcat policore-ushtarake serbe.

Fushata e bombardimeve do të zgjaste për 78 ditë me radhë me sulme ajrore mbi caqet ushtarake dhe policore serbe. Bombardimet kishin tri objektiva kryesore: mbrojtjen ajrore jugosllave, sistemet e komandës dhe kontrollit dhe forcat ushtarake serbe të dislokuara në Kosovë.

Bombardimet e NATO-s

Bombardimet, po ashtu do të krijonin edhe një konfigurim të ri gjeografik, pasi që Kosova nuk do të ishte më pjesë e Serbisë, fillimisht do të administrohej nga ndërkombëtarët dhe më pas do shpallej shtet i pavarur (17 shkurt, 2008).

Një nga polemikat më të mëdha sa i përket ndërhyrjes së NATO-s në bombardimin e Serbisë lidhet me ligjshmërinë e ndërhyrjes.

Ka nga ata që e shohin dhe përpiqen ta argumentojnë si “shkelje të sovranitetit” të një shteti, duke qenë se nuk kishte një miratim nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së.

Mirëpo, mbështetësit e intervenimit japin argumente se kjo është e justifikuar në bazë të konceptit “ndërhyrje humanitare”, e cila parasheh ndërhyrje në funksion të mbrojtjes së civilëve nga privimi i të drejtave dhe lirive të tyre.

Pas fillimit të bombardimeve të NATO-s, forcat serbe vranë mbi 10 mijë shqiptarë të Kosovës, depërtuan afro një milion shqiptarë nga Kosova, shkatërruan mijëra shtëpi, dhe dhunuan mijëra gra.

Mirëpo, pas 78 ditësh bombardime, gjeneralët e Slobodan Millosheviçit, do të detyroheshin që të nënshkruanin kapitullimin, në Kumanovë të Maqedonisë së Veriut, më 9 qershor 1999.

Këtë marrëveshje e nënshkruan Gjeneral Sir Michael David Jackson, komandanti i parë i KFOR-it në Kosovë, dhe ish-shefi i Shtabit të Armatës së Serbisë, gjenerali Nebojsha Pavkoviç, i akuzuari i Hagës për krime lufte dhe gjenocid, i dënuar me 22 vjet burgim.

Nënshkrimi i Marrëveshjes së Kumanovës, kapitullimi i Millosheviç-it.

Në këtë marrëveshje u caktuan një sërë kushtesh, por nga më të rëndësishmit ishte largimi i plotë i ushtrisë dhe policisë serbe nga territori i Kosovës.

Më 10 qershor 1999, u miratua nga OKB-ja edhe rezoluta për Kosovën,  e njohur si rezoluta 1244. Ndërsa, më 12 qershor, forcat e NATO-s hynë në Kosovë nga Maqedonia.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore