Shqipëria

Komisioni Hetimor për Shëndetësinë, nga Rama te Beqaj lista e dëshmitarëve që do të thirren


Kryetarja e Komisionit të Shëndetësisë, Albana Vokshi, ka bërë me dije se mes dëshmitarëve që do thirren lidhur me hetimin e dy koncesioneve do jetë edhe kryeministri Edi Rama.

Ajo tha se pyetja e dëshmitarëve do të bëhet sipas planit të veprimit të komisionit dhe do të zgjasë deri më 10 qershor.

Kështu në pyetje përpos Ramës do të merren: Ilir Beqaj ish-ministër i Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ish-ministre e Shëndetësisë, Shkëlqim Cani ish-ministër i Financave, Anila Denaj, ish-ministre e Financave
Albana Koçiu ish-drejtore e Departamentit të Administratës Publik, Klodian Rjepaj ish-zëvendësministri i Shëndetësisë si dhe administratorët e dy koncesionarëve.

Për të dëshmuar do të thirren edhe Endri Tafani dhe Pano Soko, nga Nisma Thurje.

Një ditë do të jetë e caktuar për: drejtuesit e qendrave spitalore universitare që nga nisja e zbatimit të dy komisioneve, kryetarët dhe anëtarët e komisioneve për dhënien e koncesioneve, anëtarët e KPP, drejtuesit e Agjencisë së Prokurimit Publik dhe Avokatura e Shtetit.

Punimet e Komisionit

Klevis Xhoxhi është zgjedhur sekretar i Komisionit Hetimor për Koncesionet në Shëndetësi këtë të hënë të 25 marsit.

Të 15 anëtarët e komisionit votuan pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Sot nisi punën Komisioni për Koncesionet në Shëndetësi.

Kryetarja Albana Vokshi thirri në orën 11:00 mbledhjen e parë të Komisionit, që përgjatë katër muajve do të bëjë hetimin parlamentar të dy koncesioneve të dhëna në shëndetësi: Sterilizimin dhe Check-Up.

Këta të fundit janë të dy nën hetim nga organet e drejtësisë.

Komisioni Hetimor për Shëndetësinë u ngrit me 95 vota pro të enjten e kaluar në parlament, 71 prej të cilave nga Partia Socialiste  dhe 24 nga opozita.

Sakaq, opozitarët e Rithemelimit kanë hequr dorë nga hetimi për dy kontrata të tjera koncesionare, të hemodializës dhe laboratorëve mjekësorë.

Koncesioni i hemodializës është fituar që në 2015-tën, nga Diavita Sh.P.K, një kompani asokohe në bashkëpronësi të spitalit amerikan dhe biznesmenit Klodian Allajbeu.

Kurse kontrata koncensionare për laboratorët mjekësorë është përfolur si një firmë fituese në Holandë e lidhur po me të njëjtin emër.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore