Lajme

Dështon seanca e Këshillit të Sigurimit e thirrur nga Rusia për 25-vjetorin e bombardimeve të NATO-s


Vetëm pak minuta ka zgjatur seanca Këshillit të Sigurimit të Kombeve Bashkuara në Nju Jork e thirrur nga Rusia në 25-vjetorin e fillimit të sulmeve ajrore të aleatëve të NATO-s kundër caqeve ushtarake dhe policore serbe në ish-Republikën Federale të Jugosllavisë.

Tre anëtarë votuan pro, e 12 tjerë abstenuan në votimin procedural të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, i cili nuk ka miratuar agjendën e përkohshme të rendit të ditës, ku ishte kërkesa e delegacionit të Rusisë për të mbajtur seancë të jashtëzakonshme për Kosovën.

Përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Robert Wood, ka thënë bombardimi i caqeve ushtarake dhe policore serbe në ish-Republikën Federale të Jugosllavisë nga NATO-ja, ishte i domosdoshëm për ta ndalur gjenocidin në Kosovë.

“SHBA-ja nuk ka asgjë për të fshehur për sa i përket mbështetjes së saj për operacionin e forcave aleate të vitit 1999, veprimet kanë qenë të domosdoshme, legjitime për ta ndalur spastrimin etnik në Kosovë”, tha Wood.

Robert Wood

Sipas tij, SHBA-ja vendosi kësaj radhe për të abstenuar shkaku i qasjes së Rusisë, derisa shtoi se “mbështesim takim në formatin e duhur, që adreson çështjen e atij viti”.

“S’mund të mbështesim seancë që në mënyrë flagrante instrumentalizon ngjarjet e një shekulli më parë. Fakti që Rusia shpreh kundërshtimin për pjesëmarrjen e Kosovës këtu sot, tregon për qëllimet e saj. Takimi që kërkoi Rusia nuk ka të bëjë me Këshillin, janë përpjekje të Kremlinit për të minuar stabilitetin në Ballkan e për të shfrytëzuar Këshillin për propagandë të saj”, potencoi ai.

Ndërkaq Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, kishte njoftuar se ka arritur në selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork për të marrë pjesë në seancë.

“Në pritje të fillimit të seancës së Këshillit të Sigurimit. Të gatshëm dhe të përgatitur për të paraqitur qëndrimet e Kosovës dhe dëshmitë dhe faktet për rrethanat që në vitin 1999 e bënë të domosdoshme ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë”, shkroi Gërvalla në Facebook.

Ndërhyrja ushtarake në Kosovë konsiderohet një ndër sukseset më të rëndësishme të NATO-s, përkundër se përbente rastin e parë në histori që aleanca ndërmerrte një veprim ushtarak në territorin evropian. Wesley Clark, gjenerali amerikan dhe komandanti i përgjithshëm i forcave evropiane të NATO-s, udhëhoqi sulmet ajrore që zgjatën 78 ditë apo 2 muaj, 2 javë e 3 ditë.

Më 24 mars u bënë një çerek shekulli nga fillimi i sulmeve ajrore të NATO-s kundër caqeve ushtarake dhe policore serbe në Kosovë, Serbi dhe Mal të Zi, ndërsa vendimi ishte përligjur nga mbështetja e gjerë transatlantike dhe kërcënimi i një katastrofe humanitare – rasti i parë që NATO ndërhyn në një territor sovran pa pasur mandat të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Ndërhyrja humanitare dhe ushtarake e NATO-s në vitin 1999 shkaktoi një debat të madh ndërkombëtar dhe një ndarje ndërmjet fuqive të mëdha perëndimore dhe Rusisë. Megjithatë, pavarësisht rezistencës nga Serbia, Rusia, Kina e India, shqiptarët e Kosovës fituan njohjen nga të gjitha fuqitë perëndimore dhe nga një dyzinë vendesh të tjera.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore