Shqipëria

Balla: Hetimi për sulmin ndaj Top Channel në fazë intensive, po dokumentohet mekanizmi porositës


Ministri i Brendshëm në Republikën e Shqipërisë, Taulant Balla, pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit të Ministrave deklaroi se hetimet për sulmin ndaj Top Channel – të ndodhur një vit më parë – kanë hyrë në një fazë intensive.

Sipas tij, Policia së bashku me institucionet e prokurorisë po përfundon dokumentimin me prova të personave të përfshirë në këtë ngjarje dhe zbulimin e të gjithë mekanizimit që ka porositur dhe ekzekutuar këtë ngjarje të rëndë.

Një vit më parë, nga një automjet i tipit “Range Rover Sport” i vjedhur para tre vitesh u hap zjarri që goditi fasadën e Top Channel dhe fatkeqësisht trupin e një punonjësi të sigurisë që humbi jetën.

Ngjarja që tronditi jo pak opinionin publik ndodhi në orën 00:30 të 27 marsit, kur persona të paidentifikuar sulmuan me kallashnikov godinën.

Ata janë ende në arrati dhe e vetmja shenjë e lënë pas është mjeti i djegur në autostradën Durrës-Rrogozhinë, në të cilën ndodheshin dy armët e zjarrit model AK-47, si dhe sende të tjera që lidhen me automjetin (targat e vjedhura në Tiranë apo edhe gëzhojat e plasura).

Po ashtu kamerat kanë fiksuar vetëm një moment atë të mbërritjes pranë televizionit në rrugën dytësore të autostradës Durrës-Tiranë.

Kështu drejtoria e Policisë së Tiranës realizoi dinamikën se si ndodhi sulmi i rëndë, por motivet pas tij janë ende të paqarta.

Policia vetë thotë se, ka analizuar provat duke përcaktuar kështu disa versione hetimore.

Stafi dhe drejtuesit e televizionit ishin të thirrur nga efektivët dhe dëshmuan prerazi se nuk kishin asnjë konflikt të hapur me askënd.

Policia ndërton dinamikën e sulmit në Top Channel, shpërblim 100 mijë euro për çdo informacion

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore