Shqipëria

Policia ndërton dinamikën e sulmit në Top Channel, shpërblim 100 mijë euro për çdo informacion


Drejtoria e Policisë në Tiranë këtë mëngjes të 28 marsit ka realizuar edhe një herë dinamikën e ngjarjes së rëndë në Top Channel, ku mbeti i vdekur një punonjës i sigurisë.

Po ashtu Policia ka ftuar qytetarët që të japin informacion për autorët e kësaj ngjarjeje dhe ka vendosur shpërblim 100 mijë euro, për çdo informacion të vlefshëm që do të çojë në identifikimin e autorëve.

Sipas efektiveve, ditën e djeshme rreth orës 00:30, shtetas ende të paidentifikuar kanë qëlluar me armë zjarri automatik model AK-47, në drejtim të godinës së Top Channel dhe për pasojë ka mbetur i vrarë shtetasi Pal Kola, 61 vjeç.

Po nga të shtënat është dëmtuar fasada ballore e godinës së televizionit, si dhe dy automjete të parkuara në oborr.

Nga veprimet hetimore të kryera deri tani rezulton se në orën 00:27 automjetit i autorëve është fiksuar nga kamerat e sigurisë, në zonën e Kasharit.

Efektivët thonë se ky automjet ka lëvizur në rrugën dytësore të autostradës Durrës-Tiranë, ka dalë përballë godinës së televizionit Top Channel dhe në atë moment autorët kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të godinës së televizionit.

Autorët, pasi kanë qëlluar me armë zjarri, janë larguar me shpejtësi përsëri nëpërmjet rrugës që kanë ardhur, për në drejtim të Durrësit, dhe në orën 00:36 janë fiksuar nga kamerat e sigurisë në zonën e Kasharit.

Ndërkohë, në orën 00:55 shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë kanë marrë njoftim për djegien e një automjeti, në autostradën Durrës-Rrogozhinë, në vendin e quajtur “Përroi i Agait”.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit për ngjarjen e ndodhur, në vendngjarje kanë shkuar shërbime të shumta të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, si dhe janë organizuar pika kontrolli në të gjitha akset rrugore të vendit.

U formua grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe u kryen të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, në vendin e ngjarjes dhe në vendin e djegies së automjetit.

Nga veprimet hetimore në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 25 gëzhoja model 56, pesë predha dhe nëntë copëza predhash municioni luftarak.

Janë këqyrur dhe sekuestruar kamerat e sigurisë të televizionit, si dhe disa kamera sigurie të subjekteve private përreth vendit të ngjarjes dhe në drejtimin e lëvizjes së automjetit të përdorur nga autorët.

Në vendin e djegies së automjetit është këqyrur dhe sekuestruar automjetit i djegur dhe një gëzhojë model 56, e cila u gjet jashtë automjetit.

Brenda automjetit janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 2 armë zjarri model AK-47, si dhe sende të tjera që lidhen me automjetin, si targa e parë e automjetit, 4 gëzhoja model 56 të plasura si pasojë e djegies etj.

Janë pyetur në cilësinë e personit që tregon rrethana të dobishme për hetimin, të gjithë personat e pranishëm në vendin e ngjarjes, si dhe disa persona të tjerë të evidentuar nga Policia, në Kavajë, Vlorë etj.

Nga ekspertimi i provave të sekuestruara në të dyja vendngjarjet, ka rezultuar se  autorët i kanë përdorur të dyja armët e zjarrit, ku 20 gëzhoja janë qitur nga një armë zjarri dhe 6 gëzhoja janë qitur nga arma tjetër.

Për provat e tjera të sekuestruara janë përgatitur vendimet e ekspertimit dhe nga Instituti i Policisë Shkencore vazhdon puna për ekzaminimin e tyre.

Automjeti i përdorur nga autorët është i tipit “Range Rover Sport”, me ngjyrë kafe, i cili ka rezultuar i vjedhur më datë 10 korrik 2020, në fshatin Tale të Lezhës.

Ky automjet i është vjedhur një shtetasi kosovar, i cili ishte me pushime në këtë zonë, ndërsa targat e automjetit “AA 456 HC”, janë kallëzuar të vjedhura më datë 31 dhjetor 2022 në qytetin e Tiranës.

Policia thotë se ka zhvilluar një analizë të detajuar të veprimeve hetimore të kryera, ku janë përcaktuar versionet hetimore dhe një grup i posaçëm hetimor po vazhdon kryerjen e veprimeve hetimore të deleguara.

FOTOT/ Kangjellat e shpuar tej përtej nga plumbat, Klodiana Lala publikon

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore