Sport

Zyrtari i Ministrisë së Shëndetësisë: Serie A do të rrisë kapacitetin për tifozët


Andrea Costa, zëvendëssekretar në Ministrinë e Shëndetësisë, ndërhyri në programin “Radio Gol” të “Radio Kiss Kiss”, duke trajtuar çështjen e rihapjes së stadiumeve.

Costa konfirmoi lajmet që qarkulluan në mediat italiane në lidhje me lehtësimin e masave kundër coronavirus-it.

Tifozët do të jenë në gjendje të mbushin stadiumet e hapura deri në masën 75%. Megjithatë, ai konfirmoi se qëllimi është që të arrihet hapja totale e stadiumeve sa më shpejt të jetë e mundur.

“Qeveria ka bërë një angazhim shumë specifik, më 30 shtator ne do të bëjmë një kontroll për të kuptuar mundësinë e rritjes së kapacitetit”, tha Costa për “Radio Gol”.

“Pamja është pozitive dhe ne duhet të jemi të lumtur. Ne duhet të vazhdojmë me kujdes dhe të mos kemi frikë, në fund të muajit do të rishikojmë kapacitetet e stadiumeve”.

“Unë parashikoj që në fillim të jemi në gjendje të arrijmë 75 ose 80% të kapacitetit në stadiume. Ne duhet të jetojmë me këtë virus. Herët a vonë do të arrijmë 100% të kapacitetit në stadiume”.

“Nëse trendi mbetet i tillë, është e drejtë të mendohet se kthimi 100% i tifozëve në stadiume mund të përfundojë deri në fund të vitit”, përfundoi zyrtari i Ministrisë së Shëndetësisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore