Lajme

Zyrtari i EULEX-it shkel rregullat e trafikut në Kosovë, rasti në procesim


Parkingu i veturës së zyrtarit të EULEX-it.

Parkimi i veturave në vende jo të duhura haset shumë shpesh nëpër rrugët e Kosovës, ndërkaq të njëjtën gjë e ka bërë edhe një zyrtar i misionit të Bashkimi Evropian për Sundimin e Ligjit – EULEX.

Kur është pyetur nga një qytetar se a parkon keq sikur në Prishtinë, edhe në vendin e tij të origjinës, përgjigja e zyrtarit ndërkombëtar ka qenë “parkoj kështu vetëm në Kosovë”.

Albanian Post ka pyetur policinë e Kosovës, nëse do të merren masa ndaj zyrtarit të EULEX-it, por që të njëjtit kanë thënë se nuk ka ndonjë vendim për këtë çështje.

“Jo ende nuk ka vendim, por është duke u procesuar”, kanë thënë nga PK-ja për Albanian Post.

 

EULEX-i: Do të marrim masa disiplinore

Edhe, misioni i EULEX-it në Kosovë ka reaguar pas kritikave të shumta ndaj zyrtarit të tyre, i cili kishte parkuar veturën gabimisht në njërën rrugë të Prishtinës.

Pas lajmeve për diskutimin e këtij zyrtari me një qytetar në Kosovë, EULEX është zotuar se do të marrë masa disiplinore.

“Dënojmë me terma të ashpër sjelljen e pjesëtarit të stafit të EULEX-it që është parë duke parkuar gabimisht në Prishtinë”.

Ndërkaq, kanë falënderuar qytetarin që ka publikuar video.

“Ne garantojmë se do të marrim masat e duhura disiplinore. Falënderojmë qytetarin e Kosovës që e nxori në dritë këtë rast dhe për sjelljen e përgjegjshme”, thuhet në përgjigjen e EULEX-it, ndaj lajmit.

Përgjigjen e tillë nga zyrtari i EULEX-it e ka komentuar edhe nënkryetarja e Partisë Demokratike e Kosovës, Vlora Çitaku.

“Çfarë shfaqje e turpshme e arrogancës. E turpshme”, ka shkruar Çitaku në Twitter.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore