Lajme

Zyrtarët rusë dhe bjellorusë “nuk janë të mirëpritur” në memorialin e Holokaustit


Përfaqësuesit zyrtarë të Rusisë dhe Bjellorusisë “nuk janë të ftuar” në memorialin e Holokaustit, organizuar në ish-kampin nazist të përqendrimit “Buchenwald”, që do të mbahet muajin e ardhshëm për 77-vjetorin e çlirimit të tij.

“Zyrtarët e Rusisë dhe Bjellorusisë nuk janë të mirëpritur në ceremonitë e këtij viti”, tha në një deklaratë Fondacioni Buchenwald dhe Mittelbau-Dora Memorials, duke shtuar se për vendimin janë informuar të dyja ambasadat e vendeve në Berlin.

Lufta në Ukrainë po e lë në hije përkujtimin, “veçanërisht vdekjen e dhunshme të Boris Romantschenko”, një i mbijetuar i kampit i vrarë nga bombardimet ruse që goditën banesën e tij në qytetin e Kharkiv-it, Ukrainë.

Ai tha se ceremonia e 10 prillit do t’i kushtonte një nderim të veçantë Romantschenko-s, i burgosur në katër kampe të ndryshme naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore, i cili u vra në shtëpinë e tij më 18 mars.

Për dekada, 96-vjeçari Romantschenko kishte punuar duke edukuar të tjerët për tmerret e epokës naziste.

Ai kishte qenë nënkryetar për Ukrainën i komitetit ndërkombëtar Buchenwald-Dora.

Në ceremoninë e përvjetorit të çlirimit të Buchenwald në 2015-ën, kishte bërë thirrje për një luftë, për të krijuar një “botë të paqes dhe lirisë”.

Fondacioni tha se në vend që të përfshinte zyrtarë nga Rusia apo Bjellorusia, do të ftonte përfaqësuesit e “shoqërisë civile” të Ukrainës dhe Rusisë për t’u bërë homazhe viktimave të kampeve nga ish-Bashkimi Sovjetik.

50 të mbijetuar nga Gjermania, Kanadaja, Franca, Izraeli, Polonia, Rumania, Zvicra, Hungaria dhe SHBA-të pritet gjithashtu të marrin pjesë në këtë ngjarje.

Fondacioni vuri në dukje se 30 grupe gjermane të kujtimit kanë themeluar një rrjet ndihme për të ndihmuar të mbijetuarit e persekutimit nazist në Ukrainë, duke pasur parasysh se përballë pushtimit rus shumë prej tyre janë në “rrezik ekzistencial” .

Ajo planifikon të japë donacione ushqimesh e ilaçesh dhe të ofrojë ndihmë praktike për të mbijetuarit që ikin nga Ukraina, duke i marrë nga kufiri ukrainas ose u gjetur strehim në Gjermani. Ka ende rreth 42 mijë të mbijetuar të krimeve naziste që jetojnë në Ukrainë, sipas rrjetit të ndihmës.

Më shumë se 76 mijë burra, gra dhe fëmijë vdiqën në Buchenwald dhe kampin satelitor Mittelbau-Dora gjatë Luftës së Dytë Botërore. Forcat amerikane e çliruan kampin në vitin 1945.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore