Lajme

Zyrtarët e Listës Serbe të enjten në Uashington, paralajmërojnë “takime të rëndësishme” në Departamentin e Shtetit


Ilustrim

Një delegacion nga Lista Serbe – forca më e madhe politike e serbëve të Kosovës – në përbërje nga nënkryetari Igor Simiç dhe anëtari i kryesisë Slavko Simiç, të enjten do të nisin një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, transmeton “Kosovo Online” – portal në gjuhën serbe në Kosovë.

“Gjatë qëndrimit në SHBA, delegacioni i Listës Serbe do të ketë takime të rëndësishme me përfaqësues të lartë të Departamentit të Shtetit, si dhe me përfaqësues të grupit serb në Kongresin Amerikan”, thuhet në njoftimin e kësaj partie që është themeluar në vitin 2013 me mbështetjen e shtetit serb.

Muajin e fundit, veçanërisht pas tensioneve të krijuara në pjesën veriore të Kosovës të banuar me serbë etnikë, janë shtuar zërat se disa qytetarë nga komuniteti serb po largohen nga Kosova pikërisht për shkak të politikave destruktive të Listës Serbe.

Edhe gazeta e njohur britanike “Financial Times”, më 6 korrik të këtij viti, i ka kushtuar një artikull ngjarjeve të fundit në pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe – atje ku tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë rikthyer sërish ndërsa zgjidhja e një “konflikti me rrënjë të thella” nuk duket akoma në horizont.

Aty ndër të tjera thuhet se serbët e Kosovës po shohin një paaftësi te presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe Lista Serbe – partia më e madhe politike e serbëve të Kosovës – për t’i mbrojtur interesat e tyre, ndërsa thuhet se mbështetja për këtë parti politike tashmë ka rënë ndjeshëm.

Kujtojmë se në listën e të sanksionuarve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë edhe politikanët dhe biznesmenët serbë që veprojnë në Kosovë në koordinim me Listën Serbe, Milan Radojiçiç dhe Zvonko Veselinoviç, të cilët janë përshkruar si anëtarë të Grupeve të Organizuara Kriminale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore