Sport

Zyrtare, stadiumet në Serie A hapen deri në masën 50% dhe me Green Pass


Këshilli i Ministrave në Itali pas mbledhjes që ka bërë ditën e enjte ka vendosur që stadiumet e futbollit të hapen deri në masën 50%, por vetëm për personat me Green Pass. Një rregulli i detyrueshëm për çdo person mbi moshën 12-vjeç.

Gazeta e përditshme italiane “La Gazzetta dello Sport”, raporton se futbolli italian do të shikojë përsëri tifozë në masë të madhe në shkallët e stadiumeve pas një viti e gjysmë pritjeje.

Stadiumet e mbyllura do të kishin qenë një goditje tjetër për futbollin në këtë kohë, pasi shumica e klubeve janë në kushte jo të mira ekonomike si pasojë e pandemise së Covid-19.

Pasaporta e vaksinimit ose Green Pass është një pasaportë digjitale dhe personat që kanë një të tillë kanë mundësi shumë të vogël të infektohen ose të shpërndajnë koronavirusin.

Njoftimi u bë nga Ministri i Shëndetësisë, Roberto Speranza, gjatë konferencës për shtyp, e cila u ndoq gjithashtu nga Kryeministri Mario Draghi. Masat e reja do të hyjnë në fuqi, duke filluar nga data 6 gusht.

Sezoni i ri në Serie A 2021/22 do të fillojë në fundjavën e 21 dhe 22 gushtit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore