Sport

Zyrtare/ Benzema pensionohet nga kombëtarja


Karim Benzema i ka dhënë fund karrierës së tij me kombëtaren e Francës.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë ai, i cili përmes një postimi të shkurtër në rrjetet sociale, ka thënë se nuk do të jetë më pjesë e “Gjelave”.

“Kam bërë përpjekjet dhe gabimet e nevojshme për të qenë këtu ku jam sot dhe jam krenar për këtë! Unë kam shkruar historinë time dhe e jona po mbaron,”  shkruan Benzema mbi një foto të tijën me fanellën e Francës.

Ylli i Real Madrid-it, i cili sot (19 dhjetor) mbushi 35 vjet, u aktivizua në 97 ndeshje me kombëtaren franceze, prej të cilave ka shënuar 37 gola.

Suksesi i vetëm i tij me Kombëtaren u shënua në vitin e kaluar, ku Franca e fitoi Ligën e Kombëve.

Ai gjithashtu është aktivizuar edhe me moshat e Francës, duke fituar Kampionatin Evropian U-17 në vitin 2004.

Fituesi i Topit të Artë (këtë vit) ishte një mungesë e madhe në Kupën e Botës në Katar, ku Franca e tij shkoi deri në finale, teksa u mposht nga Argjentina pas ekzekutimit të penalltive.

Ai pësoi një dëmtim në ditët e fundit të stërvitjeve, para se të niste Botërori.

Kujtojmë që Benzema ishte i përjashtuar nga kombëtarja nga viti 2015 deri më 2021, për shkak të një zënke me shokun e tij të atëherëshëm Mathieu Valbuena-n.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore