Lajme

Zvicra do të zhvillojë një referendum për masat e pandemisë


Zvicra do të mbajë një referendum mbi heqjen e pushtetit të qeverisë për të vendosur masa të reja bllokimi. Ky vendim vjen pas një debati kombëtar për të drejtat e individëve.

Grupi aktivist, “Miqtë e Kushtetutës”, të mërkurën bëri të mundur referendumin pas një peticioni, të nënshkruar nga 86 mijë persona. Peticioni kërkon zhvillimin e një referendumi  për të votuar mbi shfuqizimin e “Aktit COVID-19, 2020”.

Referendumi nuk do të mbahet të paktën deri në qershor.  Një debat kombëtar rreth ndikimit të legjislacionit të coronavirus-it në cënimin e të drejtave të individëve, nxiti kërkesat për referendum.

Zvicra është një nga shtetet me demokracitë më të vjetra në botë dhe i kushton një rëndësi të madhe lirisë së individit.

Qeveria zvicerane nuk ka zbatuar bllokime të rrepta gjatë pandemisë së coronavirus-it si shumë vende evropiane. Masat janë bazuar në nxitjen e përgjegjësisë personale të individëve.

Vendi këtë javë shtrëngoi masat ekzistuese pas shqetësimit për rritjen e rasteve të reja.

Sipas masave, dyqanet janë mbyllur, punëtorët janë urdhëruar të qëndrojnë në shtëpi dhe tubimet private janë kufizuar në maksimumin e pesë personave.

Sipas modelit zviceran të demokracisë së drejtpërdrejtë, qytetarët mund të zhvillojnë një referendum për të votuar ligjet e paraqitura nga parlamenti nëse mbledhin më shumë se 50 mijë firma brenda 100 ditëve.

Zvicra ka pasur 495 mijë persona të prekur nga pandemia, ku 7970 persona kanë humbur betejën me coronavirus-in./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore