Lajme

ZRrE: Qytetarët e Kosovës nuk do të dëmtohen nga procesi i faturimit të energjisë elektrike


Zyra e Rregullatorit të Energjisë në Kosovë, përmes një kumtese për medie, njofton konsumatorët, për siç kanë deklaruar, se “nuk do të dëmtohen nga procesi i faturimit të energjisë elektrike”.

Njoftimin e fundit rreth vendimit të Gjykatave, ZRrE e quan keqinformim.

“ZRrE qartëson për publikun e gjerë dhe për konsumatorët se Gjykata ka marrë aktvendim për shtyrje të zbatimit të vendimit por jo anulim të vendimit”.

“Për më tepër shqyrtimi meritor akoma nuk ka filluar nga Gjykata Themelore lidhur me vendimin për tarifat me pakicë. Prandaj, përderisa ende nuk ka ndonjë verdikt final të çështjes meritore nga gjykata, ZRRE fton të gjitha palët e interesit, që të përmbahen nga deklarimet e pamatura dhe të bëhen pjesë konstruktive e tejkalimit të krizës së energjisë”, sqaron më tej ZRrE.

Në këtë njoftim thuhet se ZRrE është duke i respektuar aktvendimet e Gjykatave të Republikës së Kosovës dhe “bazuar në aktvendimin e gjykatës ka nxjerrë vendim për zbatim të këtij aktvendimi, e të cilin ia ka dërguar të licencuarit për zbatim”.

Për të kërkuar udhëzime lidhur me mënyrën e zbatimit të vendimit të Gjykatës, zyra e Rregullatort të energjisë Elektrike bën me dije se ka kërkuar ndihmë nga të gjitha gjykatat në Kosovë.

“Duke marrë parasysh paqartësitë rreth implementimit të vendimit të ngritura edhe nga Furnizuesi me Shërbim Universal lidhur me faturimin, ZRRE i është drejtuar Gjykatës Supreme për mendimin juridik, Gjykatës së Apelit, Gjykatës Themelore dhe Këshillit Gjyqësor”, përfundon  njoftimi zyrtar i ZRrE-së për publikun.

Gjykata e Apelit në Kosovë, ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, me të cilin ishte pezulluar vendimi i muajit shkurt të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për tarifat e reja të energjisë elektrike.

Gjykata Themelore në Prishtinë më 8 prill 2022 kishte aprovuar si të bazuar propozimin e paditëses Partia Demokratike e Kosovës dhe kishte pezulluar vendimin e ZRRE-së për tarifat e reja për energji elektrike.

Pavarësisht se Themelorja pati vendosur ta pezullojë vendimin e ZRRE-së për shtrenjtimin e rrymës, faturat qytetarëve u kanë shkuar me tarifat e reja.

Paraprakisht, ZRRE-ja më 9 shkurt 2022 kishte miratuar tarifat e reja për energji elektrike.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore