Lajme

ZRrE-ja gjobit KEK-un me 3.2 milionë euro, ndërsa KOSTT-in me 439 mijë euro


Bordi i ZRrE-së

Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE), në seancën e katërt me radhë për këtë vit, pas shqyrtimit përfundimtar të raporteve të monitorimit, ka vendosur gjobë në vlerën prej 3 milionë e 200 mijë euro për Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), dhe 439 mijë euro për Operatorin e Sistemit të Transmetimit dhe Tregut (KOSTT).

Ilustrim: Termocentralet e KEK-ut.

Siç thuhet në komunikatën e tyre për media në këtë seancë, janë aprovuar kërkesat për vazhdimin e Licencës për furnizim me energji elektrike “të ndërmarrjes Future Energy Trading and Exchange Dynamics dhe Licencës për furnizim me shumicë (tregtim) të energjisë elektrike të ndërmarrjes Danske Commodities Kosova, si dhe është miratuar kërkesa për dhënie të Licencës për furnizim me energji elektrike të ndërmarrjes Sharrcem”.

“Po ashtu në këtë seancë, Bordi ka shqyrtuar dhe miratuar propozimin për korrigjimin e vendimeve V_1680_2023 dhe V_1681_2023 lidhur me kontestin e ngritur nga Operatori i Sistemit të Transmetimit dhe Tregut (KOSTT) ndaj Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (KEDS) dhe Furnizuesit me Shërbim Universal (KESCO)”, thuhet aty.

Ndërkaq, në këtë seancë, Bordi ka shqyrtuar dhe miratuar 15  kërkesa të konsumatorëve për autorizim për vet-konsum nga të cilat 4 vijnë nga ndërmarrjet dhe 11  nga personat fizik me gjithsej 268 kW.

Pjesë e shqyrtimit nga Bordi kanë qenë edhe disa ankesa të konsumatorëve dhe çështje të tjera që ndërlidhen me funksionimin e sektorit si dhe të Zyrës së Rregullatorit për Energji.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore