Lajme

ZRrE do të kompensojë qytetarët për rrymën në Veri


Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE), në mbledhjen e katërt për këtë vit, ka marrë vendim për kompensimin e konsumatorëve që janë faturuar për rrymën e shpenzuar në Veri për periudhën kohore nga 6 shkurti i vitit 2012 deri në 20 tetor të vitit 2017.

Sipas ZRrE-së të kompozuarit do të jenë vetëm konsumatorët të cilët kanë qenë aktive dhe kanë kryer detyrimet e pagesave për periudhën në fjalë.

“Këta konsumatorë do të kompensohen duke u zbritur në faturat e rregullta mujore vlerën përkatëse të kompensimit”, vlerë kjo e cila nuk është bërë e ditur.

Sipas vendimit të Bordit të ZRrE-së, kompensimi i konsumatorëve do të bëhet duke filluar nga qershori i këtij viti deri më 28 shkurt të vitit 2030.

Ndryshe ZRrE, të martën vendosi për uljen çmimit të energjisë elektrike për 8 për qind për kilovatët e shpenzuar mbi blloktarifën prej 800 kilovatësh.

Kryesuesi i Bordit të ZRrE-së, Ymer Fejzullahu, në mbledhjen e bordit, më 2 prill, deklaroi se ulja e çmimit të energjisë elektrike për 8 për qind për kilovatët e shpenzuar mbi blloktarifën prej 800 kilovatësh ka ndodhur për shkak se importi me shumicë i energjisë elektrike ka pasur zbritje.

“Ky është një lajm i mirë për të gjithë ne, sidomos për konsumatorët që edhe këtë vit do të kemi një zbritje përveç mbështetjeve tjera që u janë ofruar nga institucionet e tjera gjatë vitit të kaluar”.

Uljen e çmimit të energjisë elektrike kishte kërkuar Korporata e Energjetike e Kosovës (KEK).

Nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), në një përgjigje me shkrim për Albanian Post kishin thënë se kanë dorëzuar kërkesë për rishikim të çmimeve tek KESCO/KEDS.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore