Lajme

ZPS-ja kërkon që Thaçit e Veselit t’iu vazhdohet paraburgimi


Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), në një shkresë drejtuar gjyqtarit paraprak ka thënë se ish presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe ish kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, duhet t’iu vazhdohet paraburgimi.

Sipas raportimit të “Betimit për Drejtësi”, ata kanë thënë se asnjëherë nuk janë mbështetur në dëshminë e dëshmitarit që u tërhoq.

Veselit dhe Thaçit, gjyqtari paraprak ua kishte aprovuar kërkesat që shqyrtimi i paraburgimit të tyre të shtyhet derisa të zgjidhet një çështje.

Tutje, mbrojtja e Kadri Veselit, në një shkresë drejtuar gjykatës kishte thënë se një dëshmitar pranoi që gënjeu se Veseli dhe Thaçi ishin përgjegjës për dokumentet konfidenciale në rastin Gucati dhe Haradinaj dhe se ishte shtyrë për të gënjyer nga një informator, i cili ka qenë në kontakt të rregullt me ​​ZPS-në.

“Çështja e zbulimit e përmendur në vendime ka të bëjë me masën në të cilën ZPS-ja është mbështetur në dëshminë e një dëshmitari, i cili që atëherë ka hequr dorë nga rrëfimi i tij. ZPS-ja asnjëherë nuk është mbështetur në dëshmitë e këtij dëshmitari në këtë rast, duke përfshirë edhe arsyetimin e paraburgimit të ndonjë të akuzuari”.

“Mbrojtja e ka ditur këtë gjatë gjithë kohës – që nga vendimet e para të paraburgimit të gjyqtarit të procedurës paraprake, u bë e qartë se paraburgimi mund të justifikohej vetëm me informacionin që iu zbulua”, është thënë nga ZPS-ja.

Gjykata Speciale

Për çka po akuzohen Thaçi dhe të tjerët?

Ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit rëndojnë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Që nga nëntori i vitit 2020 ata gjenden në paraburgim në Hagë dhe janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë ndaj tyre.

Sipas aktakuzës fillestare, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi dyshohen për veprat penale që kanë të bëjnë me krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit 1999.

Krimet pretendohet se janë kryer në disa lokacione të Kosovës dhe në veri të Shqipërisë.

Më 10 maj, Prokuroria e Specializuar ka paraqitur tri kategori ndryshimesh në aktakuzën ndaj Thaçit dhe ish-udhëheqësve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Sipas versionit të ndryshuar të aktakuzës, në fshatrat Budakovë dhe Semetishtë të Suharekës, dyshohet që ndërmjet 4 qershorit 1998 dhe shtatorit 1998, të paktën 12 persona janë ndaluar në qendra ndalimi.

Po ashtu, në aktakuzë thuhet se në fund në fund të qershorit dhe fillim të korrikut të vitit 1999,pjesëtarë të UÇK-së ndaluan “të paktën tre persona pa proces të rregullt ligjor në një seli të UÇK-së, të vendosur në ndërtesën e një ish-shkolle dhe konvikti në Gjilan”.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore