Lajme

Zjarret në Greqi: Vijon përhapja e tyre, shkon në dy numri i të vdekurve


Plazhi Kochyli pranë fshatit Limni në ishullin Evia, rreth 160 kilometra në veri të Athinës, Greqi, 6 gusht 2021.

Dy persona kanë mbetur të vdekur dhe gjashtë zona janë vënë në gatishmëri të lartë, ndërsa zjarret e pakontrolluara janë përhapur në të gjithë Greqinë.

Njëri prej viktimave, njё zjarrfikës vullnetar 38-vjeçar, u vra pasi një shtyllë elektrike ra në një periferi të kryeqytetit. Ndërsa viktima tjetër, ishte presidenti i Dhomës së Tregtisë të Athinës, Konstantinos Michalos, i cili u gjet pa ndjenja në një fabrikë afër vendit ku ishte ndezur një vatёr.

20 persona të tjerë janë plagosur.

Retë e mëdha të tymit janё shfaqur nё periferinё veriore të Athinës, teksa njerëzit po nxiten të lënë shtëpitë e tyre.

Zjarrfikësit po luftojnë 154 zjarre në të gjithë vendin.

Të përkrahura nga erërat e paparashikueshme, flakët më të këqija ndodhen në veri të Athinës. Zjarret po ndizen gjithashtu në ishullin e afërt të Evia-s, dhe zonat afër Olympia-s së lashtë, vendlindja e Lojërave Olimpike.

“Po përballemi me një natë tjetër, akoma më të vështirë. Zjarret janё pёrhapur me intensitet të paparë. Të gjitha forcat tona, sё bashku me vullnetarёt po luftojnë ditë e natë betejën për të shpëtuar jetë”, tha ministri i qeverisë, Nikos Hardalias.

Mijëra njerëz janë urdhëruar të largohen nga shtëpitë e tyre, teksa zjarri po djeg shtëpi, makina dhe biznese.

Qindra banorë dhe turistë në ishullin Evia janë evakuuar nё tragetet dhe varkat e peshkimit, ndërsa zjarret mbёrritёn deri nё brigjet e tij.

“Po flasim për apokalipsin, nuk di si ta përshkruaj ndryshe”, tha Sotiris Danikas, një zyrtar i rojes bregdetare në ishull, për televizionin shtetёror “ERT”.

Greqia, si shumë pjesë të Evropës, është përballur me mot ekstrem këtë verë. Një valë e nxehtësisë një javore ka shkaktuar zjarre në shumë pjesë të vendit.

Në Turqinë fqinje, autoritetet po luftojnë po ashtu me zjarret më të këqija të vendit ndonjëherë. Gjashtë lagje të tjera pranë një termocentrali u evakuuan të premten.

Tetë persona janë vrarë dhe dhjetëra mijëra janë evakuuar përgjatë bregdetit jugor të Turqisë.

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis i quajti zjarret “realiteti i ndryshimit të klimës”. Temperaturat në vend kanë qenë mbi 40 gradë Celsius gjatë gjithë javës.

Qindra zjarrfikës dhe afёrsisht 20 avionë bombardues uji po përpiqen të kontrollojnë flakët në të gjithë Greqinë. Zjarrfikës shtesë dhe aeroplanë po dërgohen nga vende tё tjera si Franca dhe SHBA-tё.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore