Lajme

Ziadeh dhe Ulutas zotohen se do angazhohen për ta ruajtur paqen dhe stabilitetin në Kosovë


Përfaqësuesja Speciale e Sekretarit të Përgjithshëm dhe Shefja e UNMIK-ut Caroline Ziadeh wshtw takuar me Komandantin e ri të KFOR-it, gjeneralmajor Ozkan Ulutas.

Sipas njoftimit për media, Ziadeh dhe gjeneralmajori Ulutas theksuan nevojën e vazhdueshme për bashkëpunim të fortë ndërmjet UNMIK-ut dhe KFOR-it në përpjekjet e tyre të përbashkëta për të ruajtur paqen dhe stabilitetin në Kosovë, duke vepruar brenda kornizës së rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit.

Ndryshe, muajin e kaluar Ziadeh gjatë raportimit të saj për Kosovën në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ka thënë se dështimi në arritjen e një kompromisi politik do të vazhdojë që të ndikojë negativisht në mirëqenën e qytetarëve, derisa ka kërkuar që Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe të themelohet pa vonesa.

“Të dyja palët t’i implementojnë marrëveshjet e arritura në dialog dhe të punojnë në themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, pa vonesa dhe parakushte”, theksoi ajo.

Ajo ka theksuar se vonesa në implementimin e marrëveshjeve të dialogut ka quar në shtyrjen e një konference të donatorëve të BE-së të paraparë në aneksin e implementimit që do mund të tërhiqte mbështetje ekonomike dhe mundësi investimesh.

Që nga miratimi i Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së më 10 qershor 1999, ky organ ka diskutuar për Kosovën katër herë në vit deri në vitin 2018.

Në vitin 2019 janë mbajtur tri seanca të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën, ndërsa nga viti 2020 mbahen nga dy seanca në vit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore