Lajme

“Zhvillimet në rajon”, temë diskutimi mes Bislimit dhe ambasadores së Kroacisë


Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi dhe ambasadori i Kroacisë, Danijela Barisic.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi të martën është takuar me ambasadoren e Kroacisë në Kosovë, Danijela Barisic, me të cilën ka diskutuar për zhvillimet në vend dhe në rajon.

Takimi është bërë i ditur përmes një komunikate nga Zyra e Kryeministrit dërguar mediave.

“Palët biseduan më tej dhe mbi zhvillimet e fundit në vend dhe rajon. Zëvendëskryeministri Bislimi e falënderoi ambasadoren për takimin, bisedën dhe bashkëpunimin e frytshëm e të vazhdueshëm”, thuhet në komunikate.

Ndërsa marrëdhëniet mes Kosovës dhe Kroacisë nga të dyja palët janë vlerësuar si “të shkëlqyeshme”.

“Bashkëpunimi mes dy shteteve tona dhe intensifikimi i marrëdhënieve ishin në fokus të diskutimit të zhvilluar”.

Më 17 janar, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar të mërkurën me kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviç në margjinat e Forumit Ekonomik Botëror në Davos.

Takimin e ka bërë të ditur Plenkoviç, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘X’, ku ka thënë se me kreun e ekzekutivit kosovar kanë diskutuar për situatën në rajon, duke ofruar edhe mbështetje për anëtarësimin e Kosovë në Bashkimin Evropian dhe Këshillin e Evropës.

“Me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti diskutova për situatën në rajon. E përgëzova për heqjen e regjimit të vizave si dhe i shpreha mbështetjen tonë për anëtarësimin në Këshillin e Evropës dhe në rrugën drejt BE-së”, kishte shkruar Plekonviç.

Edhe kryeministri kishte thënë se është diskutuar për rritjen dhe progresin ekonomik të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore