Lajme

Zgjedhjet në RMV, Abdixhiku: Shqiptarët u ndanë, kryeministri populist i Kosovës dhe gjithë aparati qeveritar i tij, u bënë akter aktiv


Lumir Abdixhiku dhe Albin Kurti

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se sikur shqiptarët të bëheshin bashkë, me një kandidat, në zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut, ata do të ishin në balotazh tani.

“Në këtë ndarje, Kryeministri populist i Kosovës dhe gjithë aparati qeveritar i tij, u bënë akter aktiv. Nga zyra e Kryeministrisë, Kosova, institucionet e Republikës, në vend të përpjekjes për përbashkim, bënë atë që dijnë të bëjnë mirë – të përçajnë e ndajnë. Bënë fushatë, bënë propagandë, ndotën njërin kandidat, për të përfunduar megjithatë në fund me rezultat katastrofal”, shkroi ai në Facebook.

Megjithatë, kreu i LDK-së, ka theksuar se “fituesit i uroj që pavarësisht sulmeve institucionale nga Kosova, ruajtën maturinë”.

“Ruajtën Kosovën. Humbësit, le të shikojnë nga përfaqësuesit e vet që u shndërruan në instrumente populiste të një partie polarizuese që përveç terr e përplasje – nuk di tjetër. Kosova, duhet t’i rikthehet politikës unifikuese e përafruese mbarëshqiptare! Kaq duhet të jetë roli ynë normal”.

Kreu i LDK-së ka theksuar se rikuperimin e përplasjeve me shqiptarët në Maqedoni, Shqipëri e Luginë, “do ta bëjmë me plot kujdes e përkushtim”.

Ndryshe, me mbi 90 për qind të votave të numëruara, saktësisht 91,47 për qind, në zgjedhjet presidenciale të Maqedonisë së Veriut, në kampin shqiptar fitues absolut ka dalur kandidati i “Frontit Evropian”, Bujar Osmani, ndërsa në kampin maqedonas ajo e VMRO-DPMNE-së, Gordana Siljanovska Davkova.

Sipas rezultateve të publikuara nga Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) në Maqedoni të Veriut, Bujar Osmani, ka marrë plotë 112 mijë e 368 vota, apo 13.60 për qind, duke u renditur i treti nga shtatë kandidatë gjithsejtë që ishin.

Ndërsa, kundërkandidati i Osmanit në kampin shqiptar nga radhët e koalicionit “VLEN”, Arben Taravari, i renditur i katërti, ka marrë 79 mijë e 211 vota, përkatësisht 9.59 për qind.

E para në garën presidenciale ka dalur kandidatja e partisë nacionaliste maqedonase, VMRO-DPMNE, Gordana Siljanovska Davkova, me 330 mijë e 270 vota, apo 39.98 për qind.

Zgjedhjet presidenciale: Osmani bindshëm fitues në kampin shqiptar, balotazhi mes Pendarovskit dhe Siljanovska-Davkova | Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore