Zgjedhjet në Kosovë

Zgjedhjet në Kosovë: Partitë në tubime nuk respektojnë masat anti-covid


Foto e tubimeve të ndryshme të partive politike në Kosovë, ku shihet mos respektimi i masave anti-COVID

“Maskë dhe distancë”, ka qenë këshilla e secilit politikan në kohë pandemie. Ky rregull i dënueshëm edhe me ligj nuk po përfillet nga partitë politike në nisjen e fushatës zgjedhore.

Fushata për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 14 shkurtit në Kosovë ka filluar zyrtarisht. Gjatë të mërkurës, subjektet politike kanë zhvilluar tubime elektorale me qëllim që t’i shpalosin programet e tyre.

Por, a ishin këto tubime në pajtueshmëri me ligjet dhe vendimet e Qeverisë së Kosovës?

Ligji për luftimin e Covid-19 dënon me gjobë prej 35 eurosh ata që nuk bartin maskën dhe me shumën e njëjtë ata që nuk mbajnë distancë. Rrjedhimisht, 70 euro mund të dënohet personi që shpërfil këto dy masa.

Më saktë, kjo përcaktohet në nenin 24, pika 5 dhe 6 të Ligjit për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë Covid-19, ku thuhet se “personi fizik i cili nuk respekton vendimin e Organit Kompetent për mbajtjen e maskës dhe distancës fizike, dënohet me gjobë prej tridhjetëepesë (35) euro”.

Po ashtu, vendimi i Qeverisë së Kosovës thotë se “nuk lejohet pjesëmarrja e më shumë se 30 personave në hapësira të mbyllura dhe e 50 personave në hapësira të jashtme”.

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti së bashku me Vjosa Osmanin nisën fushatën në qytetin e Pejës.

Foto e shkëputur nga tubimi i VV-së në Pejë.

Partia Demokratike e Kosovës nisi fushatën në një ambient të mbyllur. Ndonëse nuk dihet numri i personave që morën pjesë në këtë tubim, shihet qartë se jo secili prej tyre mban maskë dhe respekton distancën.

Foto e shkëputur nga tubimi i PDK-së.

Nisma Socialdemokrate po ashtu nisi fushatën në një ambient të mbyllur. Siç shihet, maska dhe distanca nuk u respektuan në tubimin e kësaj partie.

Foto e shkëputur nga tubimi i NISMA-s.

AAK nisi fushatën në një ambient të hapur në Prizren. Ndonëse në mes karrikave kishte distancë, jo të gjithë mbanin maskë, përfshirë këtu edhe liderin e partisë Ramush Haradinaj.

Foto e shkëputur nga tubimi i AAK-së.

Në një komunikatë për media të martën, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik (IKSHPK) ka rekomanduar “ndalim rigoroz të tubimeve, sipas vendimeve në fuqi”.

Pavarësisht vendimit të qeverisë dhe rekomandimeve të IKSHP-së, e në kundërshtim me programet e tyre në të cilat prioritizojnë shëndetësinë si një ndër fushat të rëndësisë më të lartë gjatë kësaj periudhe pandemike, tubimet e subjekteve politike nuk përkojnë fare me masat për parandalim të shpërndarjes së infektimit me virus.

Lidhja Demokratike e Kosovës hapë zyrtarisht fushatën zgjedhore në ora 18:00.

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore