Lajme

Zgjedhjet në Itali: Më pak përqindje votuesish se në vitin 2018


Pjesëmarrja e votuesve italianë deri në orën 19:00 arriti në 51.25 për qind të atyre që kanë të drejtë vote.

Kjo, për rinovimin e Dhomës dhe Senatit, duke cituar faqjen e Ministrisë së Brendshme.

Në zgjedhjet e fundit politike, në vitin 2018, kishin votuar në të njëjtën kohë 58,48 për qind e të autorizuarve.

Krerët e disa partive kryesore italiane kanë votuar tashmë mëngjesin e 25 shtatorit.

Enrico Letta i Partisë Demokratike (PD) të qendrës së majtë votoi në një qendër votimi në Romë.

Kreu i Lidhjes së krahut të djathtë, anti-migrant, Matteo Salvini, votoi në Milano.

Salvini kandidon së bashku me liderin e ekstremit të djathtë Vëllezërit e Italisë (FdI), Giorgia Meloni dhe Silvio Berlusconi të Forza Italia në një koalicion të krahut të djathtë.

Në Firence ka votuar edhe ish-kryeministri italian Matteo Renzi.

Presidenti italian Sergio Mattarella votoi në qytetin e tij të lindjes, Palermo, në ishullin e Siçilisë.

Ai u paraqit në qendrën e tij të votimit, një shkollë lokale, jo shumë kohë pasi u hapën qendrat e votimit.

Kush mund të votojë në zgjedhje?

Më pak se 50 milionë njerëz janë thirrur për të votuar, sipas agjencisë italiane të lajmeve ANSA.

Prej tyre, më shumë se 4.7 milionë votojnë nga jashtë – më shumë se gjysma, 2.6 milionë, votojnë nga vende të tjera evropiane.

Rreth 2.7 milionë njerëz mund të votojnë për herë të parë. Mosha e votimit në Itali është 18 vjeç.

Janë pak më shumë se 61 mijë e 500 qendra votimi në të gjithë vendin që do të jenë të hapura nga ora 7 e mëngjesit deri në orën 23:00.

Pjesëmarrja pritet të arrijë një rekord të ri këtë vit, duke rënë edhe më poshtë se rekordi i mëparshëm prej 72.9 për qind në vitin 2018.

Njerëzit e moshës 18 vjeç e lart po votojnë për ligjvënësit si në dhomën e ulët të deputetëve ashtu edhe në Senat, dhomën e lartë të parlamentit.

Zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme u shkaktuan nga dorëheqja e kryeministrit në largim Mario Draghi në korrik.

Asokohe, Lëvizja populiste 5 Yjet – një nga disa parti në koalicionin e Dragh-it, i cili përfshinte të majtë, të djathtë dhe parti të qendrës – vendosi të tërheqë mbështetjen e saj për dekretin për ndihmën ekonomike.

Kush janë kandidatët?

Janë pesë kandidatë kryesorë – duke përfshirë tre ish-krerë qeverish dhe dy liderë të ekstremit të djathtë – që konkurrojnë për postin e kryeministrit.

Një aleancë e krahut të djathtë e udhëhequr nga partia Vëllezërit e Italisë së Giorgia Meloni-t duket se po kryeson sipas sondazheve të opinionit dhe duket se do të marrë detyrën në një koalicion me partinë e Ligës së ekstremit të djathtë dhe partinë Forza Italia të Silvio Berlusconi-t.

Meloni – e cila më parë ka shprehur admirim për ish-diktatorin fashist italian Benito Mussolini – mund të bëhet kryeministrja e parë grua e Italisë.

Garuesi kryesor për aleancën e qendrës së majtë është Partia Demokratike e udhëhequr nga Enrico Letta.

Ka spekulime se mbështetja për Lëvizjen 5 Yjet ka marrë një vrull në ditët e fundit.

Një rritje e vonë e partisë së majtë mund të vërë në rrezik shanset e aleancës së djathtë për të fituar një shumicë në Senat, duke e bërë më kompleks procesin e formimit të një qeverie.

Votimi mund të shohë një kthim në qeverinë më të djathtë të Italisë që nga Lufta e Dytë Botërore – duke sjellë populistët euroskeptikë në zemër të Evropës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore