Zgjedhjet në Kosovë

Zgjedhjet e 14 shkurtit në sytë e Avokatit të Popullit


Për t’u siguruar se e drejta thelbësore e demokracisë, e drejta për të votuar u zhvillua pa incidente, institucioni i Avokatit të Popullit (IAP) në Kosovë ka angazhuar 43 vëzhgues në terren.

Këta persona, punonjës të IAP-së të cilët të dielën funksionuan si ekipe lëvizëse, duke mbuluar të gjithë territorin e Kosovës, kanë raportuar se ky proces pati disa probleme të vogla.

Me situatën pandemike janë imponuar masa specifike për realizimin e procesit zgjedhor. Por, jo të gjitha masat anti-COVID janë respektuar.

Si rrjedhojë e fluksit të madh të votuesve, kryesisht në qendra të mëdha votimi, nuk është mundësuar që të zbatohet distanca ndërmjet votuesve. Distanca nuk është respektuar as edhe ndërmjet administruesve të procesit.

Vëmendjen e vëzhguesve të Avokatit të Popullit e ka tërhequr edhe një problematikë tjetër.

Vështirësitë për personat me nevoja të veçanta dhe personat e moshës së tretë, përkatësisht kushtet e papërshtatshme infrastrukturore – mungesa e pjerrinave.

Pasi që në të shumtën e herëve vendvotimet ishin në katet e dyta apo të treta, një gjë e tillë ka paraqitur vështirësi në realizimin e së drejtës për të votuar.

Institucioni i Avokatit të Popullit ka mandat specifik për të monitoruar për së afërmi institucionet ku mbahen personat e privuar nga liria.

Pikërisht në këto institucione vëzhguesit e IAP-së kanë vërejtur raste kur persona të privuar nga liria nuk kanë pasur mundësi të votonin, ngase emri i tyre nuk ka qenë në listat e ekipit mobil, ndërkaq nuk janë verifikuar aty për aty edhe me listën e përgjithshme të votuesve.

Në bazë të raportimeve nga terreni, Avokati i Popullit konsideron se në tërësinë e vet, procesi zgjedhor është zhvilluar në një atmosferë të sigurt, i qetë, i lirë e demokratik.

“Pjekuria e qytetarëve në njërën anë, angazhimi maksimal të cilin KQZ-ja e ka treguar në tërësinë e vet në përgatitjet dhe në organizimin e këtyre zgjedhjeve, kanë shënuar moment jashtëzakonisht të rëndësishëm për respektimin e vullnetit të lirë të qytetarëve dhe nivelin e demokracisë në vend”, thuhet në raportin e IAP-së.

Avokati i Popullit po ashtu vlerëson Policinë e Kosovës për mbështetjen profesionale që ka ofruar përgjatë gjithë ditës së zgjedhjeve nëpër të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, duke garantuar siguri dhe mbarëvajtjen e procesit elektoral.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore