Lajme

Zëvendësministrja ukrainase zotohet të veprojë lidhur me pretendimet për ngacmim seksual në ushtri


Zëvendësministrja ukrainase e Mbrojtjes është zotuar se do të ndihmojë në ndjekjen e komandantëve të ushtrisë të akuzuar për ngacmim seksual.

Kjo vjen pas akuzave për sjellje “të papranueshme” që u ngritën nga një ushtare femër.

Madje Hanna Maliar u ka bërë thirrje atyre që pretendonin se ishin shënjestruar ta takonin atë personalisht.

Një prej tyre ka ngritur pretendimin se një komandant në një njësi luftarake kishte urdhëruar vartëset femra të kryenin marrëdhënie seksuale me të ose të përballeshin me burrat e tyre që dërgoheshin në front.

Maliar ka thënë po ashtu se do të hetohen pretendimet se gratë në forcat e armatosura ishin kërcënuar se do të dërgoheshin në njësitë psikiatrike për ngritjen e akuzave për ngacmim seksual ose për t’u transferuar në një njësi luftarake.

Lidhur me këtë, ajo ka paralajmëruar të akuzuarin se ajo personalisht do të çonte çdo rast të besueshëm në polici.

Akuzat u bënë javën e kaluar nga një rreshtere toge, Nadiya Haran, 27 vjeç, e cila i ka thënë “The Guardian” se ndihej e detyruar të kërkonte të transferohej nga njësia e saj e mëparshme pasi iu the të heshte kur ngriti çështjen me oficerë të lartë.

“Unë u largova nga brigada ime sepse ishte ky person lart në hierarki që do të ngacmonte gratë dhe unë i njoh këto gra”, ka thënë ajo.

“Disa prej tyre janë vartëset e mia për të cilat unë jam përgjegjëse. Ato u ngacmuan nga i njëjti person që në thelb u tha atyre nëse refuzonin të kryenin marrëdhënie seksuale me të, ai do t’i dërgonte drejt vdekjes burrat e tyre që ishin gjithashtu në brigadë. Më thanë të mbyllja gojën sepse ai nuk më ngacmoi personalisht”.

Maliar ka thënë se do të takonte Haran dhe do të mbronte çdo ushtare femër që do të dilte me dëshmi.

“Unë u them të gjitha grave në forcat e armatosura të më shkruajnë një deklaratë. Do të kontaktoj policinë dhe do ta sjell policinë për të hetuar. Më jep të gjitha informacionet, do të kontaktoj personalisht policinë. Këto gjëra janë të papranueshme; një grua nuk mund të trajtohet kështu. Unë do t’i mbroj ato”, ka thënë ajo.

Janë rreth 60 mijë gra që punojnë në ushtri, 42 mijë prej të cilave janë ushtare. Prej tyre, 5 mijë janë duke luftuar në vijën e parë.

Sakaq, Maliar ka treguar se një uniformë e re për ushtarët femra ishte miratuar dhe se kontrata ishte në tender.

“Për luftim, uniforma duhet të përmirësohet. Ne duhet të krijojmë uniforma për gratë. Edhe kur flasim për të brendshme, kur një grua mban një automatik, është e nevojshme që rripat të mos fluturojnë nga sutjenat”.

“Ka nevojë për të brendshme që të ndihmojnë të shkosh në tualet në kushte luftarake”.

“Ishte për këto kushte luftarake që ne vërtet duhej të krijonim një uniformë të tillë. Dhe me të vërtetë nuk ekzistonte, ashtu si në shumicën e vendeve të tjera të botës”, ka shtuar ajo.

Sipas Maliar, zhvillimi i kësaj uniforme ka marrë kohë sepse përfshin testime. “Gratë në fokus grupe duhet të veshin disa versione të kësaj uniforme dhe më pas të zgjedhin më të mirën. Kjo mori kohë”.

Tanimë, uniforma mostër është miratuar. Hapi tjetër është gjetja e një furnizuesi që mund të sigurojë këtë vëllim uniformash.

“Më pas, departamenti i furnizimit do të shpallë një tender dhe do të përcaktojë specifikimet teknike. Pastaj fabrikat dhe prodhuesit marrin pjesë në tender. Një kompani duhet të fitojë dhe më pas do të fillojë të prodhojë këtë uniformë”, ka sqaruar ajo.

Maliar ka shtuar gjithashtu se ushtria ukrainase ka kërkuar jelekë mbrojtës për gratë, por se standardet e atyre në treg nuk ishin mjaftueshëm të larta dhe se ministria po kërkon të prodhojë të sajat.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore