Boterori 2022

Zëvendësim interesant në Kupën e Botës, Maroku ndërron portierin pasi këndohet himni


Një moment interesant ndodhi gjatë ndeshjes së Kupës së Botës mes Belgjikës dhe Marokut.

Pasi u publikuan formacionet zyrtare, madje edhe lojtarët dolën në fushë, kombëtarja e Marokut vendosi ta bëjë një zëvendësim të papritur.

Portieri i parë i skuadrës afrikane, Bono, ishte në mesin e titullarëve në këtë ndeshje te skuadra e Marokut, madje ai doli me shokët e skuadrës dhe kamera e kapi teksa këndohej himni kombëtar, përpara nisjes së dy palëve.

Megjithatë, në kohën kur skuadra erdhi për të bërë foton e skuadrës së tyre, midis himnit dhe fillimit të lojës, Bono nuk ishte më aty.

Në vend të kësaj, portieri mbështetës Munir qëndronte përkrah pjesës tjetër të skuadrës dhe zuri vendin e tij në formacionin fillestar me fillimin e lojës.

Këtë gjë nuk e vunë re madje as komentatorët, shkruan BBC.

Sipas raportimeve, portieri numër një i Sevilla-s, Bono, u ankua se ndihej keq para fillimit të ndeshjes dhe kërkoi që trajneri i tij ta zëvendësojë, me Munir që hyri në minutën e fundit.

Sa i përket ndeshjes, atë e fitoi pikërisht kombëtarja e Marokut, ku goli i parë erdhi në minutën e 73-të me anë të futbollistit të Sampdoria-s, Abdelhamid Sabiri.

Ndërsa, në minutat shtesë, sulmuesi i Toulouse, Zakaria Aboukhlal, shënoi golin për 2:0 dhe kështu me këto tre pikë, Maroku rrëmben vendin e parë në Grupin F me katër pikë, duke lënë prapa Belgjikën me tri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore