Lajme

Zëvendës-mashtruesi i Drejtësisë


Foto nga Albanian Post

Me një lehtësi të padurueshme zëvendës-ministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka provuar të mashtrojë në një emision televiziv duke thënë se tashmë dihet dhe ka prova se Astrit Deharin e ka vrarë një person i tretë dhe këto të dhëna i ka nga raportet e Institutit Zviceran.

Sallahu duke keq-cituar nga raporti dhe mashtruar opinionin publik, ndërton një rrëfim dhe e jep sikur është i nxjerr nga raporti profesional zviceran.

“Ka qenë një person i tretë”, thotë Sallahu në emisionin Debat Plus, duke shtuar se “personi i tretë i cili ka qenë në burg, prezent në atë qeli” e ka vrarë Deharin.

“Kështu ka thënë Instituti dhe thotë që ka qenë një person i tretë prezent brenda burgut ku cilësohet se është vrarë nga ai person ose ka ndërhyrë në vrasjen e Astrit Deharit. Ka qenë edhe personi i tretë siç thotë raporti i institutit zviceran”, deklaron Sallahu.

Për më tepër, ai pohon se edhe raporti i parë për Deharin që ishte bërë para këtij të institutit zviceran e thotë po të njëjtën se dikush e ka vrarë Deharin.

“Raporti i parë, që është jashtëzakonisht voluminoz edhe cilësor tregon që një person i tretë e ka vrarë Astrit Deharin në burg”, deklaron zëvendës-ministri.

I ballafaquar me raportet nga moderatori i emisionit, Sallahu vetëm pak minuta pasi kishte siguruar publikun se Astrit Dehari është vrarë dhe këtë e konstaton edhe raporti i Institutit, ndryshon qëndrim.

Sallahut në studio i lexohet çfarë thonë përfundimet e të dy raporteve, duke iu cituar nga dokumenti.

I pari pohon se “Për të përjashtuar mundësinë e involvimit të personit të terët duhet të bëhet hetim tjetër”, duke treguar se nuk ka prova të mjaftueshme për të dëshmuar as njërin skenar as tjetrin, derisa raporti i dytë është shumë më specifik duke thënë se  “analizat e ADN-së, nga objektet që kanë qenë në kontakt me të ndjerin në momente të afërta me vdekjen, (brisk rroje, stilolaps i lidhur me një lidhëse këpucësh dhe një pjesë metali, nuk kanë treguar profil të ADN-së për veç të atij të Astrit Deharit”.

Pas leximit të dy raporteve dhe përgënjeshtrimit të asaj çfarë kishte thënë vetëm pak më herët, gazetari pyet zëvendës-ministrin se “a mund të citosh se ku bëhet fjalë në raport për personin e tretë?”.

Sepse, vazhdon gazetari, “raporti i dytë tregon se nga mostrat nuk është gjetur asnjë ADN e personit të tretë…”.

Duke lëvizur krejtësisht nga qëndrimi fillestar, Sallahu tash thotë se “po në raportin e dytë ashtu thuhet, sepse problemi është që mostrat që janë dërguar nga Instituti kanë qenë tashmë të konsumuara, s’ka pasur prova materiale adekuate”.

D.m.th pak minuta pasi deklaroi se raportet tregojnë se është dëshmuar se Astrit Deharin dikush e ka vrarë, Sallahu deklaron se raporti megjithatë nuk e thotë atë, sepse provat kanë qenë të dëmtuara.

Por, tash insiston se është raporti i parë për Deharin që thotë se ai është vrarë.

Duke iu kërkuar sërish të tregojë se në cilën pjesë të raportit konstatohet kjo, Sallahu deklaron se “raporti është shumë i hershëm, e kam lexuar para dy viteve edhe kam harru në cilën pjesë vijmë të ajo pjesë”.

Meqë ballafaqohet sërish me deklarimet e raportit të dytë, ku është konklutuar se nuk është gjetur ADN tjetër përveç asaj të Deharit, Sallahu ngul këmbë te ky i pari.

“Në raportin e parë tregohet goxha saktë a ka pasur person të tretë në këtë rast”, thotë zëvendësministri.

Ai prapë ballafaqohet me përfundimet e raportit dhe i thuhet se ato konkretisht konkludojnë që “për të përjashtuar prezencën e një personi të tretë duhet edhe një hetim tjetër”.

Përgjigja e Sallahut lë pa fjalë.

“Atëherë po i bie që një person ka qenë ekzistent aty”, thotë Sallahu.

“Nuk i bie që ka qenë…”, ia kthen gazetari.

“Po nuk i bie që s’ka qenë pra…”, vazhdon Sallahu.

Nga konstatimi me konfidencë se raportet thonë që ka qenë një person i tretë që e ka vrarë Deharin, në çështje minutash ministri ndryshon krejtësisht qëndrim duke e supozuar se ka mundur të jetë.

Për ta ballafaquar sërish atij i konstatohet prapë se raporti i parë thotë vetëm që “Për të përjashtuar mundësinë e involvimit të tretë duhet të bëhet hetim tjetër…”.

Sallahu i jep vetës të drejtë të ndërpresë fjalinë dhe thotë “e çka po don me thonë qekjo, automatikisht është ekzistent personi brenda, kjo i bjen që personi i tretë ka ndërhyrë”, përfundon ndërhyrjen e varfër.

E gjithë intervista e Sallahut vazhdon në këtë formë. Ai konstaton diçka, më pas ballafaqohet me përfundime zyrtare dhe më pas ndryshon qëndrim.

Nga deklarime që i prezanton si fakte, pas konfrontimit me dokumente, ai kthehet dhe i ri-thotë si interpretime të tij.

Vetë nuk citon asnjëherë dhe kur i citohet nga raportet i dyshon citimet.

Njëjtë më vonë thotë se video që kishte dalë nga burgu ditën kur kishte vdekur Astrit Dehair ka ndërhyrje dhe është provë e dëmtuar.

I ballafaquar sërish me një ekspertizë të bërë në Austri të të njëjtës video, e cila thotë se video nuk ka pasur ndërhyrje që ta dëmtojë si provë dhe se pamjet janë autentike dhe tregojnë saktë atë çfarë paraqitet e as nuk ka manipulime të kohës, Sallahu vazhdon me versionin e tij, por ky pa cituar askund.

Prapë, përdorë stilin e njëjtë duke deklaruar se tash nuk i kujtohet bash mirë se cila pjesë dhe në çfarë minutazhe ka qenë ndërhyrja.

Jo vetëm për rastin Dehari, për çfarëdo që pyetet, Sallahu ka të njëjtën logjikë (mungesë të logjikës) në argumentim.

I pyetur se a ka pamje të rastit për vjedhjen e mostrave të Deharit në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ai thotë se po dhe se ato i janë dërguar policisë së Kosovës.

Më pas, prapë i ballafaquar, ai pohon se megjithatë mund të mos ketë asgjë në ato kamera, sepse pamjet shlyhen pas një kohe të caktuar automatikisht.

Sallahu, krejtësisht nonshalant, është edhe një nga njerëzit kryesor të Qeverisë së Kosovës edhe për projekte të rëndësishme si Vettingu në Drejtësi dhe Byronë për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Sallahu njihet edhe për prodhimin e banaliteteve gjuhësore si ai i shtrirjes së drejtësisë si vaji në tepsi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore