Lajme

Zemaj: 108 profesionistë shëndetësorë u larguan nga Kosova për dy muaj


Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj dhe ish ministri i Shëndetësisë është shprehur se vetëm për dy muaj 108 profesionistë shëndetësorë janë larguar nga vendi, duke përfshirë 36 specializantë.

Zemaj për këtë ka kritikuar Qeverinë e Kosovës përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’.

“Paaftësia qeverisëse dhe mashtrimi i lë qytetarët pa shërbime shëndetësore. Me pak se 4 javë kemi mbi 30000 raste me Covid-19, apo 1,154 të infektuar në ditë. Vetëm për këto ditë kemi 33 jetë të humbura të qytetarëve nga Covid-19”, ka shkruar ai.

Sipas tij, problemet shëndetësore nuk mund të menaxhohen ‘online’

“Ky rezultat është në vazhdën e dështimeve të paaftësisë qeverisëse, e cila mendonte se mund ta menaxhoj online pandeminë si dhe online sektorin e shëndetësisë. Është kjo Qeveri që profesionistët shëndetësorë vazhdon t’i trajtojë me lëmoshë, gjersa vetëm për dy muaj 108 profesionistë shëndetësorë kanë lënë vendin, ndër ta edhe 36 specializantë”.

Ministria e Shëndetësisë.

Kritika ndaj ekzekutivit pati edhe për mosvazhdimin e kontratave të mbi 1 mijë e 200 pjesëtareve të stafit mbështetës në luftën kundër pandemisë.

“Në vetëm këto javë të kësaj Qeverie, janë stërzgjatur listat e pritjes së qytetarëve për të marrë shërbimet shëndetësore, duke mbërritur deri në mesin e vitit 2023”.

Duke thënë se me këtë Qeveri janë duke munguar edhe shumë medikamente esenciale.

“Në vetëm këto javë të kësaj Qeverie, si shumë medikamente të tjera, po mungon edhe medikamenti “Pembrolizumab” e që janë esenciale për pacientet të sëmurë me kancer, ndërsa pritja për t’i marrë është nën mëshiren selektive të përzgjedhjes”.

Ndërsa ka shtuar se me këtë Qeveri po vazhdojnë të dominojnë sjellje jo të duhura.

“Edhe në këto javë të kësaj Qeverie vazhdon të dominojë arroganca, mosveprimi, propaganda, jo dëgjueshmëria profesionale, tipare këto të qeverisjeve të paafta dhe populiste. Në vetëm këto javë të kësaj Qeverie, përkundër të gjithave e gjithçkaje, ne si parti opozitare kemi ofruar Ligjin për Shëndetësinë, në mënyrë që t’ju dalim në mbrojtje qytetarëve dhe profesionistëve shëndetësorë, ndërsa si kundërpërgjigje kemi marrë padëgjueshmërinë”.

Për një vit në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, diplomojnë rreth 150 mjekë të rinj.

Pas studimeve, të njëjtit duhet të vazhdojnë procesin e specializimit në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Në këtë periudhë të specializimit, e cila së bashku me studime merr pothuajse 12 vjet, ata ballafaqohen me mungesë të pagave.

Meqë nuk marrin paga, shteti u thotë se ua paguan të paktën kujestaritë – orët jashtë orarit në punë.

Por, kryetari i Këshillit të specializantëve, Arianit Zajmi, përmes një përgjigje me shkrim për Albanian Post, kishte deklaruar se as këto nuk i marrin krejtësisht.

“Të gjithë po ikin, ministria është njoftuar” – largimi i anesteziologëve do t’i pamundësojë operacionet

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore