Lajme

“Të gjithë po ikin, ministria është njoftuar” – largimi i anesteziologëve do t’i pamundësojë operacionet


Ilustrim

Për një vit në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, diplomojnë rreth 150 mjekë të rinj.

Pas studimeve, të njëjtit duhet të vazhdojnë procesin e specializimit në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Në këtë periudhë të specializimit, e cila së bashku me studime merr pothuajse 12 vjet, ata ballafaqohen me mungesë të pagave.

Meqë nuk marrin paga, shteti u thotë se ua paguan të paktën kujestaritë – orët jashtë orarit në punë.

Por, kryetari i Këshillit të specializantëve, Arianit Zajmi, përmes një përgjigje me shkrim për Albanian Post, thotë se as këto nuk i marrin krejtësisht.

“Më shumë se 2 kujdestari nuk paguhen, më shumë se 200 specializant trajtohen me skema sociale (subvencione), nuk ka asnjë mundësi e as planprogram ose subvencionim për dërgim të specializantëve për trajnim e shkollim jashtë vendit”.

Protestë e Specializantëve para Ministrisë së Shëndetësisë.

Sfida të tilla e bëjnë specializimin në Kosovë një eksperiencën që s’e do kush. Prandaj, alternativa për largim jashtë vendit është gjithmonë kërkesë kujdestare.

“Me pak fjalë krejt këto po e dëmtojnë kualitetin e specializimit, po ju bëjnë bajat specializanteve e mjekeve të rinj të qëndrojnë këtu. Edhe ata që nuk kanë menduar kurrë që të largohen jashtë vendit, kur e kanë filluar specializimin kanë ndryshuar mendjen”.

Nga Ministria e Shëndetësisë flasin ndryshe. Të pyetur nga Albanian Post, në MSH thonë se gjithçka është në rregull.

“Ata që e kanë fituar specializimin me pagesë, marrin paga nga buxheti i Kosovës si pagë e rregullt, ndërsa ata me vetëfinancim paguhen nga subvencionet dhe transferet”.

Sipas MSH-së, “asnjë specializant nuk është pa pagesë për shkollimin specialistik që kryen”.

Ky dikaster ka pohuar se edhe orët e kujdestarisë për ta paguhen.

“I kanë gjithashtu edhe nga 2 kujdestari, sipas kontratës që ua paguan ministria e Shëndetësisë”.

Anesteziologu profesion në zhdukje në Kosovë, të gjithë po largohen

Kryetari i shoqatës së anesteziologëve, Lulzim Emini në një bisedë për Albanian Post, tregon se Kosova në sektorin e shëndetësisë nuk ka problem vetëm me specializantët, por edhe me numrin e vogël të anesteziologëve që janë të punësuar.

“Ne nuk i plotësojmë as standardet minimale, në Evropë jemi vendi me numrin me të vogël të anesteziologëve, por edhe ne Ballkanin Perëndimor”, pohon Emini.

Tutje, ai sqaron se numri më i madh i anesteziologëve që ka Kosova punojnë në institucionet private.

Gjithsejtë në sistemin shëndetësor në Kosovë janë 120 anesteziolog. Prej tyre 23 punojnë në spitale private, 54 në Qendrën Klinike Universitare dhe të tjerët janë të shpërndarë në spitale rajonale”.

Shërbimet e anesteziologëve në Kosovë.

Emini thotë se për këtë emergjencë është e njoftuar Ministria e Shëndetësisë.

“Gjatë gjithë kohës e kemi informuar ministrinë e Shëndetësisë, për 23 vjet nuk kanë arritur as të bëjnë diçka, as të planifikojnë diçka më të thjesht, numrin e anesteziologëve të tyre”.

Në aspektin teknik, ai vlerëson se QKUK-ja qëndron mirë, por nga të ardhurat është mjaft dobët.

“Kushtet e punës sa i përket aspektit teknik janë të mira, por ajo që nuk është e mirë është pagesa e tyre, pagesa e tyre është jashtëzakonisht e ulët, ajo që ne e kemi kërkuar nga ministria dhe drejtori i SHSKUK-së ka qenë që të rritet pagesa për anesteziologët në mënyrë që të ruhet numri i anesteziologëve në institucionet publike”.

Anesteziologjia është një nga specializimet më të gjata dhe më të vështira në mjekësi.

Anesteziologu/ja merret me përgatitjen e pacientit para futjes në operim, kujdeset për gjendjen e pacientit gjatë operimit dhe rikthimin e tij pas operimit. Gjithashtu, është personi kyç për ta ndihmuar pacientin në tejkalimin e dhimbjeve pas operimit.

Pagat e sektorit të Shëndetësisë në rajon

Gjatë vitit 2021, në Shqipëri janë rritur pagat e mjekëve deri në 40 për qind, duke arritur rreth 651 euro.

Sipas Federatës së Mjekëve Shqiptarë në Evropë, vitin e kaluar mbi 3 mijë mjekë janë larguar nga Shqipëria për të ushtruar profesionin e tyre në Evropë, rreth 1 mijë prej tyre numërohen në Gjermani.

Ministria e Shëndetësisë së Shqipërisë, ka bërë të ditur se për vitin e ardhshëm shëndetësia do të marrë pjesën më të madhe të parave nga buxheti, rreth 630 milionë euro.

Edhe në Maqedoninë e Veriut pagat e mjekëve kanë shënuar rritje mes 40 dhe 50 për qind në periudhën 2017-2020, pas përshkallëzimit të situatës epidemiologjike me COVID-19.

Paga e bazë e një mjeku specialist në muajin shkurt të vitit 2021 ka qenë rreth një mijë e 800 euro.

Përveç pagës bazë, mjekët specialistë marrin 300 deri në 400 euro në muaj për kujdestaritë gjatë fundjavave, festave shtetërore dhe turnetë e natës.

Nga Ministria e Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut, rritja e pagave ka ulur ndjeshëm edhe largimin e mjekëve specialistë nga vendi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore