Lajme

Zelensky i prerë: Ndërprisni Nord Stream 2/Putin: Ka interes global, jo sanksione


Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e ka bërë të qartë kërkesën e tij ndaj botës perëndimore dhe fuqive të mëdha evropiane, mbi të gjitha Gjermanisë: Ndërprisni punimet e projektit gazsjellës “Nord Stream 2”.

Tubacionet e këtij projekti, gjejnë një rrugë nëpërmjet detit Baltik, për të krijuar një korridor direkt nga Rusia drejt Gjermanisë, duke shmangur rrugën nëpërmjet Ukrainës.

“Rusia duhet të ndëshkohet për njohjen e dy rajoneve separatiste në Ukrainë”, ravijëzoi Zelensky gjatë një konference. “Duhen sanksione të menjëhershme, përfshi një ndalim tërësor i ‘Nord Stream 2’”.

Nga ana tjetër, ironikisht, ka qenë presidenti rus, Vladimir Putin, ai i cili ka replikuar në distancë lidhur me kërkesën e Zelenskyt.

Në një konferencë me eksportuesit e gazit, ai theksoi rëndësinë e projektit.

“Jemi të bindur se është në interes të komunitetit botëror, të sigurojë se tranzicioni energjetik, nuk do të kthehet në një mjet të avancimit të interesave individuale të aktorëve të caktuar. Ndaj, sanksionet dhe shtrëngimet e tjera, nuk duhet të ndodhin”.

Kështu mendon Putini mbi çështjen, një ditë pasi dërgoi forca të ashtuquajtura paqeruajtëse, në rajonet separatiste të Donetsk-ut dhe Luhansk-ut.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore