Lajme

Zelensky drejtuar NATO-s: Na dërgoni aeroplanë


Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, gjatë një konference shtypi i ka bërë thirrje Perëndimit që t’i dërgojë avionë luftarakë.

“Nëse nuk keni fuqinë për të mbyllur hapësirën ajrore, të zbatoni një zonë të ndaluar fluturimi mbi Ukrainë, atëherë më jepni aeroplanë”, tha ai.

Zelensky shtoi se, nëse Ukraina nuk është më, “Zoti na ruajt, Letonia, Lituania, Estonia do të jenë të radhës”.

Vendet Baltike janë pjesë e aleancës mbrojtëse të NATO-s, që do të thotë se, nëse Rusia do të pushtonte një të tillë, do të ishte në luftë me të gjithë anëtarët.

“Ne nuk po sulmojmë Rusinë dhe nuk planifikojmë ta sulmojmë atë. Çfarë dëshironi nga ne? Lëreni tokën tonë”, tha ai.

Ai u shpreh se rusët sollën një krematorium me vete – ata nuk do t’u tregojnë kufomat familjeve, trupat thjesht digjen.

“Unë nuk e kuptoj se çfarë lloj personi po planifikon akte të tilla gjenocidi dhe nazizmi. Më vjen turp që ka akte të tilla, në kohën tonë. Fundi i botës tashmë ka ndodhur. Nëse nuk mund t’i ndalim hapat e tillë, është fundi i botës”, tha presidenti i Ukrainës.

Nuk mungoi as ftesa për bisedime me Putin-in.

“Uluni me mua. Vetëm jo 30 metra larg si me presidentin francez, Emmanuel Macron”, ishte thirrja e Zelensky-t.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore