Përballje

Zekiqi ndëshkon ish-klubin e tij, Vëllaznimi triumfon ndaj Trepçës


Ndeshja mes Vëllaznimit dhe Trepçës, e vlefshme për javën e shtatë në basketbollin kosovar doli të jetë tejet interesante, e cila u mbyll me rezultat 75:72 në favor të vendasve nga Gjakova.

Takimi ishte jashtëzakonisht interesant dhe dramatik deri në fund, ku hero ishte ish-basketbollisti i Trepçës, Burim Zekiqi, ndërsa pikët vendimtare i realizoi Anthony Adger.

Shtatë minutat e parë të ndeshjes ishin të barabartë, por më pas mysafirët shkëputen në 13:21, që ishte epërsia më e lartë deri në ato momente, ndërsa çereku i parë përfundon me shifrat 15:21.

Kuqezinjtë rikthehen shpejt në periodën e dytë, ku arritën të barazojnë rezultatin dhe më pas zhvillohet lojë e barabartë dhe kjo dëshmohet edhe se, pesë herë rezultati u barazua, ndërsa hera e fundit ishte 37:37, sa përfundoi pjesa e parë.

Periudha e tretë ishte shumë interesante, ku herë njëra skuadër kalonte në epërsi e herë tjetra, por pa arritur të shkëputen dhe rezultati pas 30 minutash ishte 52:54.

Me një seri prej 0:9, ‘Xehetarët’ u shkëputën në 52:63, por vendasit nuk dorëzohen dhe sërish ngushtuan shifrat në 66:68, dy minuta nga fundi, e më pas kalojnë në epërsi 72:69, me tri treshe fantastike nga i jashtëzakonshmi Burim Zekiqi, i cili shënoi nga rreth tetë metra, duke u bërë hero për vendasit.

Dramë u zhvillua deri në fund, ku Kendrick Broën barazoi shifrat në 72:72, ndërsa në frymën e fundit shënoi treshe Anthony Adger për rezultatin përfundimtar 75:72 dhe festa pushoi “Shani Nushin” në Gjakovë.

Burim Zekiqi ishte më i miri te Vëllaznimi me 19 pikë, ndërsa u ndihmua nga Damonte Dodd me 15 pikë e 15 kërcime, ndërsa te Trepça më të mirët ishin Drilon Hajrizi me 17 pikë dhe Erjon Kastrati me 14 pikë.

Vëllaznimi ka tri fitore e katër humbje, kurse Trepça katër fitore e tri humbje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore