Muzikë

Zbulohen emrat e jurisë së sivjetshme të Festivalit të Këngës së RTSH-së


Skena e Festivalit të Këngës në RTSH

E hëna e 27 dhjetorit është data zyrtare e hapjes së edicionit të 60-të të Festivalit të Këngës së Radio Televizionit Shqiptar (RTSH), ndërkohë që evenimenti i sivjetshëm pos tjerash do të gjykohet nga një juri profesioniste.

Paneli i jurisë së festivalit të këtij viti do të jetë i përbërë nga gjithsej shtatë anëtarë, emrat e të cilëve janë të njohur për publikun.

Anxhela Peristeri, Agim Doçi, Rozana Radi, Olti Curri, Osman Mula, Anxhela Faber dhe Olsa Toqi janë personat që do të gjykojnë dhe japin vlerësimet e tyre për të gjitha këngët pjesëmarrëse.

Në anën tjetër, mes emrash të tjerë të njohur që do të konkurrojnë në edicionin e sivjetëm të Festivalit të Këngës në RTSH janë artistët: Ronela Hajati, Alban Ramosaj, Olimpia Smajlaj, Urban Band e Kastro Zizo.

Siç e do tradita, artistët konkurrues do të garojnë për të fituar çmimin e parë, ndërkohë që triumfuesi do të jetë këngëtari që do ta përfaqësojë Shqipërinë në Festivalin e Këngës Evropiane “Eurosong Contest 2022”.

Ndërkaq, “Eurovision 2022” do të mbahet në Pala Olimpico të Torinos në Itali në maj të vitit të ardhshëm.

Në vitin 2021, Shqipëria në “Eurovision” u përfaqësua nga këngëtarja e njohur për vokalin e fuqishëm, Anxhela Peristeri, e cila në këtë garë mori pjesë me këngën e saj “Karma” të cilën vendosi që ta interpretoj në gjuhën shqipe, me çka arriti të siguronte vendin e 21-të në renditjen tabelore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore