Stil

Zara, H&M dhe Primark: Pëlhura toksike dhe ndotje?


Në botën e modës dominon moda e shpejtë.

Ndryshe, prodhimi masiv i veshjeve të dizajnuara për t’u veshur për një periudhë të shkurtër dhe më pas hidhen dhe zëvendësohen me modele të reja.

Një sistem prodhimi i cili po gjeneron një ndikim mjedisor dhe social në të gjithë komunitetin.

Kompanitë e dinë këtë dhe përpiqen të përmirësojnë imazhin e tyre me premtime për qëndrueshmëri që shpesh nuk konkretizohen.

Mashtrimi i konsumatorit, i cili përfshin fushata të gjera komunikimi që nënkuptojnë se i gjithë modeli i prodhimit është “i gjelbër”, quhet greenwashing.

Por si mund ta dallojë konsumatori një etiketë të rreme ekologjike nga një e vërtetë?

Raporti më i detajuar është ai i Greenpeace “Greenwash danger zone”, i cili ekzaminoi etiketat e supozuara të qëndrueshmërisë së 29 markave si Zara , H&M dhe Primark.

Etiketa që mund të fshehin një realitet shumë të ndryshëm nga ai që prezantojmë.

Qëndrueshmëria e pambukut

Pambuku është një nga fibrat më të përdorura në industrinë e modës dhe lidhet me një ndikim të rëndësishëm ekologjik, siç është përdorimi i madh i ujit (rreth 2 mijë e 700 litra për të prodhuar një bluzë të vetme), pesticidet, plehrat dhe përdorimi i OMGJ-ve.

Në vitin 2005, u prezantua Iniciativa për Pambuk më të Mirë (BCI), me qëllim të promovimit të prodhimit më të qëndrueshëm nëpërmjet praktikave bujqësore që reduktojnë përdorimin e kimikateve të dëmshme.

Që nga viti 2021, vetëm 20% e pambukut të rritur globalisht është i certifikuar BCI, sipas raportit të Përshpejtuesit të Pambukut Organik 202.

Dhe kjo pak nuk është e garantuar të jetë realisht e qëndrueshme sepse i gjithë zinxhiri i furnizimit, rruga e pambukut nga kultivimi në prodhimin përfundimtar, nuk është transparente.

Për më tepër standardi nuk vendos një prag kufizimesh të detyrueshme për përdorimin e pesticideve.

Në realitet ndodh që, krahasuar me pambukun tradicional, pambuku i markës BCI përdor pesticide deri në 67%.

H&M, e cila prodhon rreth 3 miliardë artikuj veshje në vit, certifikon 70% të veshjeve të saj prej pambuku me standardet BCI.

Miti i rremë i poliestrit të ricikluar

Kur flasim për poliester të ricikluar në pëlhura, i referohemi riciklimit të shisheve plastike (PET) nga të cilat merren fibra poliesteri për përdorim në prodhimin e veshjeve apo produkteve të tjera tekstile.

Por ndryshe nga ajo që ndodh me një shishe, riciklimi i poliesterit pasi shndërrohet në pëlhurë ndalon, sepse nuk është më i ripërdorshëm.

Me dy faktorë rëndues: procesi i prodhimit gjeneron afërsisht 1.5 ton dioksid karboni; 1 mijë e 900 mikrofibra lëshohen me çdo larje dhe rrisin ndotjen e ekosistemeve ujore.

Zara prodhon mesatarisht 800 milionë rroba çdo vit, kryesisht në poliestër.

Edhe fibrat celulozike të prodhuara nga njeriu, të tilla si viskoza, shpesh paraqiten si një zgjedhje e qëndrueshme.

Çdo kilogram fibër i prodhuar kërkon konsumin e ujit nga 70-140 litra ujë.

Kërkon po ashtu përdorimin e kimikateve të dëmshme si disulfidi i karbonit.

Lënda e parë për prodhimin e celulozës së nevojshme për prodhimin e pëlhurës vjen nga pemët.

Sipas Këshillit të Administrimit të Pyjeve (FSC), vetëm 14% e celulozës së përdorur për prodhimin e viskozës vjen nga burime të çertifikuara, nga pyjet që janë vlerësuar dhe menaxhuar sipas standardeve të njohura ndërkombëtarisht për qëndrueshmërinë e pyjeve, siç është vetë Këshilli i Administrimit të Pyjeve (FSC) ose Programi për miratimin e certifikimit të pyjeve (PEFC).

Kur një dru apo pyll certifikohet do të thotë se menaxhimi i tij ndjek praktika të mira për ruajtjen e biodiversitetit, mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve lokale dhe menaxhimin e qëndrueshëm të burimeve pyjore.

Linja Zara

Zara me etiketën e saj “të qëndrueshme” – Join Life Care for Water/Care for Planet – po përpiqet të pajtohet me politikat e gjelbra.

Por nga ana tjetër vazhdon të përdorë pambukun e paqëndrueshëm BCI.

Në qershor 2022, kompania spanjolle nxorri në treg një koleksion të kufizuar në bashkëpunim me LanzaTech, një startup i fokusuar në transformimin e emetimeve të karbonit në rroba.

Kjo teknologji e re kap dioksidin e karbonit nga proceset e depozitimit të mbetjeve industriale, bujqësore ose shtëpiake.

Më pas, përmes një procesi fermentimi, dioksidi transformohet në etanol, një komponent themelor në prodhimin e fijeve poliestër.

Megjithatë, pëlhurat që rezultojnë nuk përbëhen nga karboni i kapur 100%.

MEG i furnizuar nga LanzaTech përfaqëson vetëm 20% të poliestrit përfundimtar, ndërsa 80% vjen nga acidi tereftalik i pastruar.

Koleksioni Primark

Primark, kompania irlandeze me gati 6 miliardë xhiro vjetore, ka zhvilluar një program të brendshëm qëndrueshmërie, të quajtur PSCP (Primark Sustainable Cotton Program) në të cilin vetë-certifikon cilësinë e materialeve të përdorura.

Megjithatë, të dhënat nuk raportohen askund dhe për momentin të dhënat në lidhje me përfitimet mjedisore nuk janë bërë ende të ditura.

Gjithashtu nuk ka asnjë verifikim të jashtëm nga palët e treta të operacioneve të qëndrueshme të kompanisë, gjë që është e nevojshme për materiale të tilla si pambuku organik dhe poliesteri i ricikluar.

Në vitin 2022, Primark nxori në treg një koleksion të kufizuar të quajtur EarthColors by Archroma, i përbërë nga 22 artikuj të bërë me ngjyra natyrale nga mbetjet ushqimore dhe bimore.

Një hap i virtytshëm, por për 22 artikuj. Pjesa tjetër e katalogut gjigant mbetet i ankoruar për përdorimin e ngjyrave toksike me bazë kimike.

H&M nën akuza

H&M, kompania e dytë më e madhe e veshjeve në botë për nga vëllimi i shitjeve, u dërgua në gjykatë në vitin 2022 pas një padie për greenwashing, të ngritur nga studenti amerikan i marketingut Chelsea Commodore.

Commodore, pas një hetimi nga Quartz, një faqe e njohur e lajmeve dhe mediave në internet në SHBA, ka thënë se informacioni i qëndrueshmërisë i ofruar nga H&M ishte mashtrues.

H&M përdori një sistem vlerësimi të bazuar në Indeksin e Qëndrueshmërisë së Materialeve të Higg (MSI) të Koalicionit të Veshmbathjes së Qëndrueshme (SAC) për të informuar klientët për qëndrueshmërinë mjedisore të secilit produkt.

Kurse (sipas Quartz) më shumë se gjysma e rezultateve i përfaqësonin si më të gjelbër nga sa ishin në të vërtetë.

Pas ankesës, H&M hoqi vlerësimet nga artikujt e saj dhe grupi SAC pezulloi përdorimin e tyre.

BE dhe Marrëveshja e Gjelbër

Gjatë 20 viteve të fundit, prodhimi i veshjeve është dyfishuar: 100 miliardë veshje në vitin 2022 dhe pritet të arrijë në 200 miliardë veshje në vitin 2030.

E gjithë industria e tekstilit në tërësi është përgjegjëse për 5-10% të emetimeve globale të gazit në serë.

Aspekti kritik është pikërisht mungesa e qëndrueshmërisë në prodhimin intensiv: nga konsumi i ujit te ndotja me mbi 3 mijë e 500 substanca kimike.

Bashkimi Evropian, me Marrëveshjen e Gjelbër, ka propozuar një plan për të krijuar një model rritjeje efikase dhe të qëndrueshme për të trajtuar ndryshimet klimatike dhe për të mbrojtur mjedisin.

Në fushën e modës, marrëveshja për Fuqizimin e Konsumatorit për Tranzicionin e Gjelbër u miratua nga Këshilli Evropian dhe Parlamenti në shtator 2023.

Objektivi është krijimi i një ekonomie rrethore përmes katër fushave të ndërhyrjes:

Ekodizajnimi:

Direktiva përcakton kërkesat minimale (qëndrueshmëria, materialet, riciklimi, qëndrueshmëria, riparueshmëria, ripërdorimi) që prodhuesit duhet t’i respektojnë për të hyrë në tregun evropian.

Gjurmueshmëria dhe transparenca e zinxhirit të furnizimit:

Prodhuesit do të duhet të japin informacion të detajuar mbi origjinën e lëndëve të para, kushtet e punës në zinxhirin e prodhimit dhe ndikimin e përgjithshëm mjedisor të ciklit jetësor të produktit.

Përgjegjësia e Zgjeruar e Prodhuesit (EPR):

Kërkon që prodhuesit të menaxhojnë mbetjet në mënyrë të qëndrueshme, për shembull, duke zbatuar programe të veçanta grumbullimi, duke bashkëpunuar me organizata të specializuara riciklimi, duke promovuar dizajne të qëndrueshme.

Tregtia e produkteve:

Prodhuesit që respektojnë rregulloret e qëndrueshmërisë përgjatë gjithë zinxhirit të prodhimit do të promovohen përmes marrëveshjeve tregtare të BE-së.

Një shembull i virtytshëm

Në fund, është gjithmonë ndjeshmëria e konsumatorëve që i shtyn kompanitë të ndryshojnë modelet e prodhimit.

Sa më të vetëdijshëm të jenë, aq më i vështirë bëhet greenwashing.

Në Itali, projekti Slow Fiber, i lindur në nëntor 2022, po krijon një model prodhimi të qëndrueshëm dhe etik përgjatë gjithë zinxhirit të furnizimit.

Kompanitë që bashkohen duhet t’u përgjigjen parimeve të ESG dhe të përfshijnë auditime dhe kontrolle.

Ka rreth 20 kompani që tashmë plotësojnë kërkesat e kërkuara: Oscalito l’Opificio, Quagliotti, Remmert, Pettinatura Di Verrone, Tintoria 2000, Angelo Vasino Spa, Olcese Ferrari, Tintoria Felli, Manifattura Tessile Di Nole, Holding, Cardate , Italfil, Pattern, Maglificio Maggia, Vitale Barberis Canonico, Gruppo Albini, Botto Giuseppe, Finishing and Dyeing Ferrari.

Të gjitha janë në gjendje të gjurmojnë të gjithë zinxhirin e furnizimit të tekstilit dhe kanë certifikatat kryesore si OEKO-TEX, RWS, FSC, GRS, GOTS Global Organic Textile, ZDHC.

Është e qartë se çmimet janë pak më të larta, por produkti është më cilësor, ka jetë më të gjatë, punëtorët janë të mbrojtur dhe proceset e prodhimit kanë më pak ndikim.

Marrë nga “Corriere della Sera”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore