Lajme

Xhaferi: Shqiptarët e RMV-së janë të shqetësuar për rënien e imazhit të Kosovës në sytë e ndërkombëtarëve


Talat Xhaferi

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, në një intervistë për televizionin shqiptar “ABC News” të enjten, konsideroi se imazhi i Kosovës në sytë e bashkësisë së organizuar ndërkombëtare nuk është në të njëjtat nivele sikurse në të kaluarën, duke iu referuar kritikave të fundit ndaj Qeverisë së Kosovës mbi çështjen e ndalimit të dinarit serb.

“Fatkeqësisht, imazhi institucional i subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës sot nuk është në nivelet që ka qenë para shumë kohësh. Sot, imazhi i Kosovës ka shkuar në kontekstin negativ. Duke qenë se shqiptarët e Maqedonisë së Veriu kontribuuan për shtetin e Kosovës, ne jemi të shqetësuar për aspektin e humbjes së imazhit që ka pasur paraprakisht Kosova”.

Bashkimi Evropian (BE) dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) i kanë bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të tërhiqet nga vendimi për ndalimin e përdorimit të dinarit serb në territorin kosovar, duke fajësuar njëkohësisht ekzekutivin e vendit për ndërmarrjen e “vendimeve të njëanshme” dhe nxitjen e “tensioneve të panevojshme” në pjesën veriore.

Qeveria e Kosovës, në një kohë kur marrëdhëniet e vendit të vogël ballkanik dhe bashkësisë ndërkombëtare janë në gradën e fundit, nëpërmjet konsistencës kundërshtuese në diskurs dhe veprime, refuzoi kërkesat e BE-së dhe SHBA-së – zyrtarë të administratës amerikane madje deklaruan se “vendimet e pakoordinuara” cenuan cilësinë e marrëdhënieve dypalëshe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore