Shqipëria

Xhaçka: Shqipëria me rol të madh në diplomacinë ndërkombëtare


Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, pas seancës së jashtëzakonshme të NATO-s, deklaroi se gjatë takimit u konfirmua vendosmëria e aleatëve për të mbështetur Ukrainën dhe se është vlerësuar roli domethënës i Shqipërisë në fushën e diplomacisë.

“Në takimin e jashtëzakonshëm të ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve të NATO-s sot u konfirmua sërish me forcë vendosmëria e aleatëve për të mbështetur popullin e Ukrainës në luftën heroike që ka fituar admirimin dhe respektin e të gjithë botës”.

Për sa i përket agresionit rus, tha ministrja, do të hetohet nga Gjykata Ndërkombëtare Penale për krime lufte.

Shqipëria, deri në këto momente, theksoi Xhaçka, po luan një “rol domethënës” në përpjekjet për të mbështetur Ukrainën.

Vendi ynë ka dhënë “ndihmë materiale konkrete, por sidomos në fushën e diplomacisë, ku pardje siç keni pasur mundësinë ta ndiqni u arrit një fitore vërtet e rëndësishme, duke miratuar me shumicë absolute votash një rezolutë të bashkësponsorizuar nga Shqipëria ku i kërkohej Rusisë t’i japë fund luftës”.

Sipas ministres, solidariteti i qytetarëve shqiptarë është vlerësuar “maksimalisht nga aleatët”. Kjo, sepse lufta e popullit ukrainas, “nuk është thjesht një luftë për mbijetesën e Ukrainës, por një luftë për paqen e sigurinë në kontinentin evropian”, përmbylli Xhaçka.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore